Dëshmitarja: Stanishiqi para mi vrau pesë anëtarët e familjes

Dëshmitarja: Stanishiqi para mi vrau pesë anëtarët e familjes

Në gjykimin për krime lufte kundër popullsisë civile, dëshmitarja Xh.H. ka deklaruar se i akuzuari Goran Stanishiq, më 15 prill të vitit 1999, para syve të saj kishte vrarë pesë anëtarë të familjes së saj, në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit.

Dëshmitarja Xh.H. tha se ditën kritike të 15 prillit ajo kishte përjetuar tmerrin, pasi pesë pjesëtarë të forcave paramilitare serbe, nën krismën e armëve, kishin nxjerrë jashtë shtëpisë e më pas i kishin mbështetur për muri dy vëllezërit e saj, E. dhe O., djalin e saj B. dhe nipin A., raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Janë kon 5 persona, thanë dilni krejt përjashta, tu gju përpjetë kurrë pa u ndal, me automata a çka kanë pas armë në dorë. Edhe na jemi dal krejt përjashta, edhe baba jem u mbet mrena, i kanë nda gratë prej burrave, i kanë rendit me rend, mas pari e kanë qit E., tani O., tani djalin tim B., e djali i vëllait A. u kap për krah temin, u mbështjell tu lyp ndihmë, e kam pas edhe djalin tim të voglin për dore, atëherë i ka pas 6 vjet”, tha dëshmitarja.

Sipas dëshmitares, ka qenë i akuzuari Goran Stanishiq ai që kishte shtënë me armë drejt anëtarëve të familjes së saj, duke i lënë ata të shtrirë përtokë, ndërsa katër paramilitarët e tjerë kishin shtënë në ajër.

“Ka gju Gorani në drejtim të tyre, ata gjujshin rrefall me ren, kurrë nuk u nalshin, në drejtim të tyre ka gjujt veç ky, ata gjujshin përpjetë. Një metër distancë s’i kom pas me ta dhe i kanë gju përtokë”, ka thënë dëshmitarja.

Ajo tha se i akuzuari Goran Stanishiq më pas i’a kishte vrarë edhe babain e saj, M.G., pasi fillimisht e kishin nxjerrë atë jashtë shtëpisë duke i’a lidhur duart mbi kokë, e duke e kthyer me fytyrë nga muri.

“Pastaj, unë jam mbet në oborr, ata janë kon krejt të shtrin, baba u kon mrena, masnej hinën mrena me këqyr mrena, tybe ni serb prej Serbie se kish që ka mbet edhe dikush mrena. Edhe Gorani i ka thonë: ‘Izagje Napoli’, edhe baba jem u dal përjashta, i ka pa dy nipat e vet dhe dy djemtë e vet të vdektë përtokë. U dal baba jem, ja kanë lidh dy duart, e kanë kthy me fytyrë ka bllokat, edhe Gorani e gjujti edhe ato”, tha ajo.

Si pjesëtarë të këtij grupi, që morën pjesë në vrasjen e anëtarëve të familjes së saj, dëshmitarja përmendi të akuzuarin Goran Stanishiq, si dhe Mirosllavin e Simishën, dhe dy persona të tjerë, të cilët nuk kishte arritur t’i shihte mirë.

“Ne jemi rrit bashkë me ta, në shkollë jemi shku me ta, na s’kemi mujt mu dallu serb e shqiptar mes veti, çka ju bonem na ktyne që na banën kështu. E kam njoft Goranin, Mirosllavin, Simishën, krejt fshati Sllovi janë kon aty. Qiky Gorani që është qitu, mbiemrin e ka Stanishiq. U kon Mirosllavi, djali i mixhës së Goranit, edhe dy tjerë janë kon, po s’kam mujt mi pa prej tmerrit që e kom pa në atë vend. Kur janë hy në oborr i kanë vunë maskat”, deklaroi ajo.

Pasi i kishin vrarë pesë anëtarë të familjes, ajo tha se kishte kërkuar nga paramilitarët serbë që t’i jepnin një plumb edhe asaj, me arsyetimin se jeta pa më të dashurit e saj nuk kishte më kuptim për të.

“Edhe janë mbet qaty të 5-tit, edhe unë mo e kam hup kontrollin, s’jam kon mo e vetëdijshme, edhe i kom thonë bjerma edhe mu një plumb, edhe mu mem vra, se s’ka çka m vyn mo jeta, qityne në oborr ju thash. I kom pas do pare, thash t’jua paguaj plumbin por s’ma dhanë. Mu më than ty t’kena lan me pa qashtu, çka kena bo”, ka thënë ajo.

Pas rastit, dëshmitarja sqaroi se ishte nisur në drejtim të xhamisë së fshatit, ku kishte takuar nënën e saj, e gratë e vëllezërve të saj, të cilëve u kishte rrëfyer për ngjarjen që kishte përjetuar.

Ajo i ka shpjeguar gjykatës se kryesit e këtyre krimeve kanë qenë banorët serb të Sllovisë, të cilët ajo tha t’i ketë parë pa maska ditën kritike, teksa qëndronin para dyerve të shtëpisë së saj.

Disa ditë pas ngjarjes, dëshmitarja tha se nëna e saj, nga fshati Smallushë kishte shkuar në shtëpinë e tyre, ku kishte parë babain e të akuzuarit Goran, të quajtur Tomqi, duke e larë gjakun nga oborri me një gyp me ujë.

“E ka pa Tomqin, babën e Goranit, tu e la gjakun me gyp, edhe i ka thonë o Tomq, pse na bonet këto, çka ju bonem, edhe ai u përgjigj na s’ju kena bo, ju ka bo tjetërkush. Nona jem ka dal prej oborrit, ka thonë ku mi kemi lan djemtë e nipat, ai i ka thonë nuk e di. Nona jem ka shku rrugës përpjetë, te ni kojshi V., i ka thonë ka mi kanë qu djemtë, e ai i thotë po Z., këta e banën këta të vet, serbët e Sllovisë, i kan mbledh ata dhe i kanë qu në Quk dhe i kanë varros aty. Për këtë më ka tregu nëna jem”, deklaroi ajo.

Identifikimin e kufomave ajo tha ta ketë bërë nëna e saj, ndërsa varrimin e tyre e kishin bërë disa banorë shqiptarë të fshatit Sllovi, në prezencë të pjesëtarëve të armatosur të forcave serbe.

“Edhe mandej, këta janë ardh, se di sa këna nejt, serbët janë ardh te dera e shpisë, unë s’jom dal, edhe i kanë thonë nënës tem hajde identifikoji kufomat në shkollë të vjetër. Edhe nona jem u qu i ka pa krejt kufomat, babës, vllaznive, djalit tem dhe djalit të vëllait. Edhe aty ka pas kufoma shumë në shkollë. Edhe tash këta kanë thonë, hajdi mi varros, edhe nëna jem, masi ajo qysh mbet, patën do shqiptarë nëpër katun, u dal i ka thirr, janë shku, prezencën e tyne me automata, dhe në prezencën e tyre i kanë qu kufomat i kanë varros në varrezat e familjes ku i kom pas, këta me automata përmi kry ju kanë nejt”, theksoi dëshmitarja.

Më pas, në cilësinë e dëshmitares është dëgjuar edhe F. K., e cila deklaroi se më 15 prill 1999, pasi fshati Sllovi ishte rrethuar nga tanket serbe, ajo së bashku me familjen e saj kishte tentuar të largohej nga fshati.

Dëshmitarja F.K. tha se forcat serbe, pasi nuk i kishin lejuar ata të largoheshin, i’a kishin vrarë burrin e saj, fillimisht duke e zbritur atë nga traktori për ta futur në shtëpinë e një fqinjit, nga edhe ishin dëgjuar krisma armësh.

“Na e vazhduam rrugën teposhtë qysh na than. S’jena shku edhe shumë larg, na kanë ndal policia e Serbisë, dhe na thanën kthehuni teposhtë, te ni kojshi H. B., e ndalen traktorin dhe aty ma kanë zhdryp burrin, ma kanë marrë edhe e kanë shti në oborrin e H. Janë 3, 4 a 5 sa dush, krejt të maskuar. Edhe aty më ka thonë vjehrri jem, e vrajtën F., se e nijtëm krismën edhe na. Dera e oborrit ishte e mbyllun, veç e nijtëm krismën e automatit, ishte rrefall”,tha dëshmitarja.

Po atë ditë, dëshmitarja pohoi se para syve të saj, forcat serbe kishin marrë edhe fqinjin R. K., për të cilin më vonë kishte kuptuar se ishte vrarë.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 13 nëntor, nga ora 09:00.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, i akuzuari Goran Stanishiq, si pjesëtar i forcës policore rezervë të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, në muajin prill të vitit 1999, gjatë luftës në Kosovë, në kundërshtim me rregullat e të drejtës ndërkombëtare humanitare, gjatë një sulmi të gjerë dhe sistematik të forcave ushtarake paramilitare dhe policore serbe kundër popullatës civile shqiptare, në fshatrat Sllovi dhe Tërbovc, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të këtij njësiti, kishte marrë pjesë në dëbimin e popullatës civile shqiptare dhe në kryerjen e vrasjeve dhe veprimeve të tjera të kundërligjshme.

Siç thuhet në aktakuzë, më 15 prill 1999, në fshatin Sllovi të Komunës së Lipjanit, i pandehuri në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes G, kanë urdhëruar anëtarët e kësaj familje të dalin nga shtëpia, dhe pasi që ata kishin dal, i kishin ndarë meshkujt nga gratë, i kishin detyruar gratë dhe fëmijët të dalin nga oborri në rrugë, ku më pas, në prezencë të dëshmitarëve Z.G dhe vajzës së saj Xh.H, që ende nuk kishin dal nga oborri, i kishin rreshtuar pranë murit të oborrit të shtëpisë M.G, dy djemtë e tij O.G dhe E.G, dhe dy nipat e tij, A.G dhe B.H, e pastaj kanë shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, dhe që të gjithë i kishin vrarë në vend, e pastaj e kishin detyruar Z.G dhe X.H që të largoheshin nga oborri.

Tutje, në aktakuzë thuhet se të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të njësitit, me automjet kishin shkuar në oborrin e shtëpisë së familjes B. Pasi kishin dal nga vetura, kishin shtënë me armë automatike në drejtim të F.G, B.B, F.B dhe R.B, të cilët kishin qenë në oborr afër bunarit, dhe e kishin vrarë F.B duke e qëlluar në shpinë, ndërsa F.G, B.B dhe R.B kishin shpëtuar duke ikur me vrap në drejtime të ndryshme nga vendi i ngjarjes.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të njëjtën ditë dhe në të njëjtin fshat, në afërsi të shkollës së vjetër të fshatit, kishin ndarë nga kolona e popullatës civile shqiptare që i kishin detyruar të braktisin fshatin, J.K, B.G, V.P, R.K, A.I dhe F.B, dhe pasi që i kishin rreshtuar përball një muri, kishin shtënë në drejtim të tyre me armë automatike, duke i vrarë të gjithë në vend.

Më 16 prill 1999, në fshatin Tërbovc të Komunës së Lipjanit,  në vendin e quajtur “Lugu i Lakrave”, i pandehuri së bashku me katër persona të tjerë të uniformuar dhe të armatosur kishin ndaluar të dëmtuarën A.I së bashku me tani të ndjerën Z.G, të cilat kishin qenë duke shkuar nëpër mal për t’iu bashkangjitur bashkëfshatarëve dhe familjeve të tyre.

Siç thuhet në aktakuzë, e dëmtuara A.I kishte nxjerrë një pako të cigareve me kërkesë të të pandehurit, dhe duke ua dhënë ai cigaret personave të tjerë, ajo kishte shfrytëzuar rastin dhe kishte filluar që të vraponte për të ikur, ndërsa i pandehuri me persona të tjerë të armatosur kishin shtënë në drejtim të saj që ta vrasin, ku e kishin goditur në pjesën e kofshës së djathtë, për çka ajo ishte rrëzuar, dhe ishte rrokullisur deri tek përroi, ku në mbrëmje e kishin gjetur fshatarët, dhe pasi që ajo ua kishte treguar vendin se ku ishte ndarë me të ndjerën Z.G, fshatarët kishin shkuar aty dhe të njëjtën e kishin gjetur të vrarë.

Për këtë, prokuroria e ngarkon të akuzuarin se në bashkëveprim me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësitit rezervist të policisë serbe dhe persona të tjerë të armatosur, ka kryer veprën penale “krimet e luftës kundër popullsisë civile” nga neni 142, lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të ish-Jugosllavisë, aktualisht e penalizuar si Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të Konventës së Gjenevës nga neni 146, paragrafi 1, dhe neni 2, nën paragrafi 2.1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi