Bekenbauer: E gjithë bota po tallet me ne, por ndodh shumë rrallë
Franc Bekenbauer, ashtu si shumë të tjerë janë çuditur nga disfata e rëndë e Gjermanisë përballë Spanjës, ku iberikët mbyllën sfidën me fitoren 6-0.
Legjenda e futbollit gjerman është i ndërgjegjshëm gjithsesi se kjo është një situatë e rrallë në radhët e gjermanëve, të cilët shquhen për qëndrueshmërinë e tyre dhe rrallëherë në histori kanë lejuar rrëshqitje të tilla.
Pavarësisht kësaj situate, ai është i bindur se Joakim Lëv duhet të vazhdojë punën e tij në drejtimin e Gjermanisë, pasi ka një plan në kokë që duhet zbatuar. “Lëv duhet të vazhdojë, ne na pret Europiani”, u shpreh ai në një intervistë per “SportBild” ku insiston se trajneri duhet të kthejë lojtarët e Bajern që largoi një vit më pare nga Gjermania.
“Kthimi i Tomas Myler do të ishte një e mire për ekipin. Njëlloj siç ndodh te Bajerni në momentet e vështira. Nëse gjërat nuk funksionojnë, Lëv duhet të ndryshojë diçka. Në skuadër është e rëndësishme prania e një lideri. Bota po tallet me ne, por për fat këto dështime ndodhin rrallë”, theksoi Bekenbauer, transmeton VipSport.























