Interi ka tri opsione për ta shkëmbyer Eriksenin

Interi ka tri opsione për ta shkëmbyer Eriksenin

Christian Eriksen i ka ditët e numëruar si futbollist i Interit. Mesfushori danez nuk bën pjesë në planet e trajnerit Antonio Conte dhe pritet të largohet nga skuadra italiane.

Eriksen po shihet si një ‘joker’ për Neroazzurët që duan ta shkëmbejnë atë për ta përforcuar repartin e mesfushës, transmeton Telegraf.

Arsenal, Paris Saint Germain dhe Bayern Munich janë tri skuadrat që po e ndjekin situatën e danezit.

Inter nga ana tjetër sipas medieve italiane po synon që të marrë ndonjërin nga lojtarët e këtyre skuadrave si shkëmbim me Eriksenin.

E përditshmja italiane Tuttosport ka raportuar se Inter ka biseduar me Arsenalin për një shkëmbim mes Granit Xhakës dhe Christian Eriksenit.

Ide shkëmbimi ka edhe me Paris Saint Germainin klubi italian që interesohet për mesfushorin argjentinas Leonardo Paredes.

Ndërkohë sa i përket kampionëve në fuqi të Evropës, Bayern Munich, Inter i ka kërkuar shërbimet e francezit Correntin Tolisso në mënyrë që ta lejojnë Eriksenin t’iu bashkohet atyre.

Gjithsesi i sigurt është vetëm largimi i reprezentuesit danez nga Interi, por jo edhe skuadra e re e tij.