Izolohet Bullgaria, mbyll shkollat dhe restorantet deri në fund të vitit
Autoritetet bullgare njoftuan të mërkurën se do t’i mbyllë shkollat, restorantet, qendrat tregtare dhe sallat e fitnesit deri më 21 dhjetor për shkak të rritjes së numrit të infeksioneve të koronavirusit.
Masat e reja, të cilat do të hyjnë në fuqi nga e premtja në mbrëmje, janë marrë me qëllim të lehtësimit të trysnisë në sistemin shëndetësor nga numri i madh i pacientëve në shtetin me shtatë milionë banorë.
“Vetëm një gjë është dëshmuar se ka ndikim ndaj COVID-19 – pakësimi i kontakteve sociale ose karantina. Për ta lehtësuar trysninë në spitale që janë buzë bllokimit, ne do të vendosim masa për tri javë”, tha kryeministri bullgar, Boyko Borisov.
Njësoj si një pjesë e madhe e Evropës Lindore, Bullgaria e menaxhoi relativisht mirë valën e parë të pandemisë në pranverë, por rastet janë shtuar shumë në vjeshtë, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.























