Dështon të nis rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasje në rastin “Çekiçi"

Dështon të nis rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasje në rastin “Çekiçi"

Për të dytën herë më radhë, ka dështuar të nis rigjykimi ndaj të akuzuarit për vrasje në rastin “Çekiçi”, Gëzim Retkoceri, i cili po akuzohet se më 29 prill të vitit 2009, e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizin.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Vesel Ismaili njoftoi se anëtarja e trupit gjykues, gjykatësja Fatime Dërmaku, nuk mund të marr pjesë në seancë për shkaqe shëndetësore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai njoftoi se kishte tentuar që të plotësojë trupin gjykues në mënyrë që të mos dështojë kjo seancë, mirëpo sipas tij të gjithë gjykatësit kishin qenë të zënë me raste të tjera.

Prandaj, kjo seancë është shtyrë ndërsa seanca e radhës pritet të mbahet me 4 janar 2021, në ora 9:30.

Ndryshe, Retkoceri akuzohet se më 29 prill të vitit 2009, e kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizin, ashtu që pas rrëmbimit të ndjerin e kishte goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e ku më pas viktimës ia kishin djegur trupin me qëllim të fshehjes së gjurmëve.

Në këtë rast i akuzuar se në bashkëkryerje kishte kryer këtë vepër penale ishte edhe i akuzuari Osman Spahiu, por pas ricilësimit të aktakuzës ai ishte akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale, për çka e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim.

Ndërkaq, Retkoceri ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje pre 30 vitesh.

Aktgjykimi në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja dhe prokuroria.

Lidhur me këto ankesa, kolegji i Apeli kishte mbajtur seancën më 15 korrik 2020. Pas shqyrtimit të ankesave, kolegji i përbërë nga gjyqtarët, Tonka Berishaj, Driton Muharremi dhe Vaton Durguti, ka vendosur që të aprovojë si të bazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit Retkoceri, avokates Kosovare Kelmendi kurse ankesat e prokurorisë dhe palës së dëmtuar i ka vlerësuar si jo lëndore tani për tani.

“Gjykata e Apelit më vëmendje ka shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtëses të të akuzuarit si dhe shkresat e lëndës dhe vlerëson se përsëri aktgjykimi i shkallës së parë në këtë rast penal është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike” – thuhej në aktgjykimin e Apelit.

Sipas aktgjykimit të Apelit, duke qenë se kjo lëndë edhe njëherë tjetër ishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë, kjo e fundit, sipas Apelit, në masë të madhe nuk i kishte përfillur udhëzimet e dhëna nga gjykata e shkallës së dytë.

Sipas vlerësimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare duke pas kundërthënie në mes dispozitivit dhe aktgjykimit si pasojë e mos arsyetimit të secilës provë veç e veç dhe duke mos i ndërlidhur me njëra tjetrën për të ardhur deri te një gjendje faktike e drejtë dhe e plotë.

Sipas Apelit, shkalla e parë nuk analizuar dhe vlerësuar provat si të vetme se çka vërtetojnë dhe të gjitha provat e ndërlidhura me njëra tjetrën çfarë gjendje faktike vërtetojnë. Po ashtu, sipas aktgjykimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar veprimet inkriminuese të secilit të akuzuar në raport me kryerjen e eventuale të vrasjes.

Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, nuk janë dhënë arsye në aktgjykimin e shkallës së parë se ku janë marrë njollat e gjakut të cilave iu është bërë profili i ADN-së dhe të cilat rezultuan se i takojnë tani të ndjerit Naim Hajrizi. Pastaj, nuk është sqaruar çështja e gjetje së bykut të drurit dhe nuk është sqaruar çështja e çekiçit gjegjësisht si ka arritur i njëjti në gjykatë dhe cila është rëndësia e të njëjtit në këtë çështje penale.

“Këto udhëzime të Gjykatës së Apelit edhe pse të detyrueshme për gjykatën e shkallës së parë nuk janë përfillur dhe të njëjtat kanë pasur edhe në aktgjykimin tjetër i cili është objekti i vlerësimit tani nga kolegji i kësaj gjykate” – thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në fund, Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë ka lirinë e veprimit rreth vlerësimit të provave ndërsa Gjykata e Apelit vetëm bën rivlerësimin e provave dhe nëse gjen gabime, vetëm në raste të jashtëzakonshme bën administrimin e provave me hapjen e shqyrtimit në shkallë të dytë. Në rastin konkret, Apeli thekson se ka gjetur se përshkrimi faktik nuk është bërë si duhet në aktgjykim dhe se arsyetimi është i pamjaftueshëm.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer edhe më herët në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 4 maj 2016. Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 7 korrik 2015, dy të akuzuarit për vrasjen e Naim Hajrizit, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu i kishte dënuar me nga 30 vjet burgim.

Me rastin e kthimit në rigjykim, Gjykata e Apelit, kishte konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shkelur dispozitat e procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzon Retkocerin dhe Spahiun, se më 29 prill të vitit 2009, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, e kishin rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizin, me qëllim që ta privojnë nga jeta.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart.

Prokuroria pretendon se dy të akuzuarit pasi e kishin vrarë tani të ndjerin, e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi