Kërkohet hudhja e aktakuzës ndaj të akuzuarës për shtytje në terrorizëm

Kërkohet hudhja e aktakuzës ndaj të akuzuarës për shtytje në terrorizëm

Në shqyrtimin e dytë ndaj të akuzuarës Ikballe Berisha-Huduti për shtytje në kryerjen e veprave terroriste, mbrojtja e saj ka kërkuar që aktakuza ndaj saj të hudhet poshtë ndërsa prokuroria e ka kundërshtuar.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), po e akuzon se kishte bërë thirrje për hakmarrje ndaj autoriteteve amerikane të cilët kishin realizuar një sulm në Irak, ku kishte mbetur i vrarë gjenerali dhe udhëheqësi i gardës revolucionare të Iranit, Qassem Solejmani.

Për këto veprime, Berisha-Huduti po ngarkohet me veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E akuzuara Berisha-Huduti, përmes mbrojtëses së saj, avokates Kosovare Kelmendi ka dorëzuar me shkrim kundërshtimin e aktakuzës së ushtruar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.

Lidhur me kundërshtimin e aktakuzës është përgjigjur prokurori special Afrim Shefkiu i cili në seancën e së enjtes ka propozuar që kërkesa për hudhjen e aktakuzës të refuzohet si e pabazuar dhe të vazhdohet me shqyrtimin gjyqësor.

Kjo me arsyetimin se veprimet e të akuzuarës në kuptim të thirrjes për hakmarrje ndaj ushtrisë amerikane, duke i përshkruar në detaje arsyet dhe caqet e thirrjes për hakmarrje, përbënë vepër penale të përfshirë në kapitullin e 14 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës si shtytje në kryerjen e veprave terroriste.

Lidhur me këtë, avokatja Kelmendi ka thënë se komenti i prokurorit Shefkiu për thirrjen për hakmarrje është perceptim i interpretimit të tij ndërsa elaborimi i elementeve të shtytjes nga ana e mbrojtjes në kërkesën për hudhje të aktakuzës janë citate nga komentari i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe paraqesin në mënyrë eksplicite se çka nënkupton shtytja.

Mbrojtja ka konsideruar se nuk kemi të bëjmë me thirrje për hakmarrje, por as me një pajtim të një ideologjie eventuale terroriste.

Prokurori Shefkiu ka deklaruar se me analizimin e komunikimeve të nxjerra nga telefoni i të akuzuarës dhe komunikimet e saj në rrjetet sociale ka pasur komente dhe foto për vrasjen e gjeneralit iranian dhe urrejtjen që ka për amerikanët, ku të njëjtët i akuzon si vrasës dhe bën thirrje të hapur për hakmarrje ndaj kësaj vrasje.

“Në komunikimet e saj në rrjetin social “Whatsapp”, me bashkëbiseduesen Mirlinda, ajo thotë se koha e “Imam Mejdiut” është afruar pas vrasjes së fundit, ndërsa 313 ushtarë liderë të tij të caktuar për botë të zgjedhur në mesin e tyre edhe 50 gra ku ajo parapëlqen të jetë në mesin e tyre”, ka shtuar prokurori special.

Gjithashtu, ai ka theksuar komunikimet e saj në rrjetin social “Whatsapp”, ku thotë se shihet biseda e saj me Bujar Rugovën lidhur me postimin e saj të bërë me rastin e vrasjes së Solejmanit dhe thirrjes për hakmarrje ndaj kësaj vrasje duke kërkuar që të bëjnë shpërndarje sa më të madhe të postimit të saj.

Më pas, avokatja Kelmendi ka argumentuar se personalitete eminente kanë shprehur mendime ndoshta edhe më të ashpra lidhur me vrasjen e gjeneralit iranian në kuptimin e përmbajtjes dhe nuk janë cilësuar si shtytës për veprime terroriste.

Ajo i ka dorëzuar gjykatës një postim nga portali “Kosova Sot” në të cilën analisti politik Fatos Lubonja e kishte cilësuar vrasjen e gjeneralit iranian një akt terrorist si dhe mendimin e  Filip Gordon, për të cilin ka thënë se është amerikan e që këtë vrasje edhe ai e ka cilësuar terroriste duke thënë që hakmarrja pritet.

Mbrojtja e të akuzuarës Berisha-Huduti ka thënë se shprehja e një mendimi të lirë të garantuar me Kushtetutë nuk mund të konsiderohet thirrje apo shtytje për veprime terroriste.

Ndërsa vet e akuzuara Ikballe Berisha-Huduti ndër të tjera ka thënë se këto akuza kanë ndikuar në reputacionin e saj duke u konsideruar terroriste dhe si pasojë për momentin është e papunë.

Pas deklarimeve të palëve, kryetarja e trupit gjykues, Albina Shabani-Rama ka thënë se vendimi lidhur me kundërshtimin e aktakuzës do të merret jashtë seancës dhe palët do të njoftohen me kohë.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 30 shtator 2020, e akuzuara Ikballe Berisha me 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook”, kishte postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane e Qassem Solejmani-gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara kishte postuar tekstin “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralët të tyre Gjeneral Sylejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dasht durimin ngase të mbysësh Zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim, por nuk ka kufi”.

Për këtë postim, PSRK po pretendon se e njëjta kishte shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen.

PSRK-ja të akuzuarën Berisha po e ngarkon me veprën penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga  neni 134 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi