Zyrtari policor deklarohet i pafajshëm për keqpërdorim detyre

Zyrtari policor deklarohet i pafajshëm për keqpërdorim detyre

Zyrtarit policor në Njësinë për Reagim të shpejtë në Prishtinë, Hasan Makolli, tashmë i suspenduar, është deklaruar i pafajshëm për keqpërdorim detyre dhe manipulim me prova.

Makolli po akuzohet se derisa kishte ndodhur një rrahje mes punonjësve të Radio Taxi “Beki”, iu kishte dhënë udhëzime personave të dyshuar se çfarë të deklaronin lidhur me rrahjen dhe t’i fshijnë video-incizimet e kamerave, të cilat kanë mundur të filmojnë momentin e rrahjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga ana e prokurores Dulina Hamiti, Makolli është deklaruar i pafajshëm për të dyja veprat penale.

Mbrojtësi i tij, avokati Alban Makolli, ka kërkuar nga gjykata që të njëjtit t’i ndërpritet masa e arrestit shtëpiak, pasi sipas tij, aktakuza ishte ngritur dhe se kishin pushuar shkaqet që i mbrojturi i tij të gjenden nën këtë masë.

“Duke pas për bazë faktin se kemi të bëjmë një zyrtar policor është mese e domosdoshme ti hiqet kjo masë për shkak se që afër dy muaj i njëjti gjendet i mbyllur dhe në pamundësi për tu marrë me aktivitete fizike, që ka bërë që i njëjti fizikisht të bie nga forma dhe që do ta ketë shumë të vështirë ta rikthej gjendjen paraprake fizike”, ka thënë avokati.

Sipas tij, nëse i njëjti do të vazhdojë të jetë i mbyllur në shtëpi, do të mund të humba aftësitë fizike për të ushtruar detyrat dhe përgjegjësitë e tij si pjesëtar i njësisë speciale, nëse i njëjti do të shpallët i pafajshëm.

Avokati Makolli po ashtu, ka kërkuar nga gjykata që të obligohet prokuroria që në një afat të arsyeshëm ti  pajisë me CD-në e video incizimit.

Prokurorja Dulina Hamili e ka kundërshtuar propozimin për ndërprerjen e masës së arrestit shtëpiak, pasi sipas saj ende qëndrojnë shkaqet për caktimin e kësaj mase.

Kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Alltën Murseli, në lidhje me masën e arrestit shtëpiak ka njoftuar se do të vendos me aktvendim të veçantë, ndërsa seancën e shqyrtimit të dytë e ka caktuar me 13 janar 2021, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur me 30 nëntor 2020, i akuzuari Hasan Makolli, në cilësinë e zyrtarit policor në Njësinë për Reagim të shpejtë në Prishtinë, kishte keqpërdorur pozitën e tij zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se me 17 korrik 2020, Makolli kishte shkuar në objektet e biznesit Radio Taxi “Beki”, ku kishte ndodhur një rrahje mes punonjësve të këtij biznes Skender Rama, Bekim Rama, Valdet Aliu dhe Hajdin Hajdini me të dëmtuarin Premtim Ipshi, ku pas incidentit, në bazë të audio-video incizimeve i akuzuari Makolli, iu kishte dhënë udhëzime të dyshuarve se çfarë të deklaronin lidhur me rrahjen e të dëmtuarit Ipshi dhe ti fshijë video-incizimet e kamerave të cilat kanë mundur të filmojnë momentin e rrahjes.

Për këto veprime, prokuroria të akuzuarin Makolli po e ngarkon me veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “manipulim me prova”. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi