Inzagi e Tare mund të kalojnë te Inter
Në fund të këtij sezoni, nëse Interi nuk merr titullin atëherë rrugët e zikaltërve me trajnerin Antonio Konte do të ndahen detyrimisht. Interi tashmë nuk është më në Champions League, por as në Europa League, ndaj objektivi i vetëm dhe aty ku do të fokusohen të besuarit e Kontes është kampionati.
Ndaj, në rast dështimi nuk ka shumë për të thënë mes palëve. Ndërkohë, drejtuesit më të lartë të zikaltërve duket se kanë gati edhe këtë skenar teksa nëse largojnë Konten, i pari në listë për ta zëvendësuar është Simone Inzagi nga Lacio, transmeton "VipSport".
Në këto sezone me kryeqytetasit, Inzagi ka treguar aftësitë e tij dhe duket se është gati për një klub më të madh dhe kështu Interi është gati t’i besojë. Mirëpo, e ardhmja e Inzagit mund të jetë edhe ajo e drejtorit Igli Tare. Ky i fundit ende ka për të zhvilluar bisedime me presidentin Lotito, ndërsa ka pasur admirimin e shumë klubeve për punën që ka kryer në këto sezone. Mbetet për t’u parë tashmë, nëse do të ketë ndryshime në verë dhe nëse Inzagi e Tare do të kalojnë si një paketë te Interi.























