Marrëdhënia RMV-Bullgari, ende nuk ka një shkëndijë shpresëdhënëse
Bullgaria, e cila është vend anëtar i Bashkimit Evropian vendosi veton për çeljen e negociatave të Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt integrimit të mëtejshëm.
Kjo bllokadë nga Bullgaria nuk u prit mirë nga drejtuesit e qeverisë, por as nga qytetarët e Shkupit.
Benjamin Arifi, gazetar, u shpreh se për këtë çështje, ish-kryeministri maqedonas, Vlado Buçkovski ka vizituar Bullgarinë, ku ka takuar krerët më të lartë shtetëror atje.
Sipas tij, Bullgaria ka konfirmuar edhe njëherë kërkesat e saj, ku minimalisht kërkon që heronjtë që maqedonasit i quajnë të vetët, të njihen si të përbashkët.
“Kanë filluar që të lëvizin gjërat në këtë drejtim. Gjatë kësaj jave përfaqësuesi i qeverisë së Maqedonisë së Veriut special për këto bisedime me Bullgarinë, ish-kryeministri Vlado Buçkovski ka vizituar Bullgarinë, ku ka takuar krerët më të lartë shtetëror atje. Buçkovski ka dërguar porosinë e Maqedonisë së Veriut, se Maqedonia e Veriut nuk ka prentendime ndaj Bullgarisë, qofshin ato pretendime territoriale dhe historike. Nga ana tjetër Bullgaria ka konfirmuar kërkesat e saj, që të njihet e vërteta historike ose siç pretendojnë ata pjesa historike, përkatësia e heronjve, që maqedonasit i pretendojnë të tyret, t’i shohin si të përbashkët. Pritet që Buçkoskvi t’i sjellë këto pretendime në Shkup”, u shpreh Benjamin Arifi.
"Nuk sheh ndonjë përparim në këto bisedime", deklaroi Arifi, njofton euronews.albania.
“Thjesht janë konfirmuar pozicionet fillestare të të dyja palëve, ende nuk ka një shkëndijë shumë shpresëdhënëse në këtë drejtim”, tha ai më tej.























