Joshua – Pulev, gjithçka që duhet të dini për meçin e madh në Wembley
BKT
Sport

Joshua – Pulev, gjithçka që duhet të dini për meçin e madh në Wembley

Nesër në The SSE Arena, Wembley, do të ndeshen boksierët e kategorisë së peshave të rënda, Anthony Joshua dhe Kubrat Pulev.

Është paraparë që boksierët të dalin pas orës 23:30 sipas kohës tonë, fituesi i këtij dueli pastaj pritet të ndeshet me Tyson Fury, i cili ka titullin WBC.

Ndërsa Anthony Joshua, do të mbrojë titujt e tij të peshave të rënda botërore WBA, WBO dhe IBF kundër Kubrat Pulev, me të cilin ishte planifikuar të takohej për herë të parë mbi tre vjet më parë.

Statistikat e boksierëve janë të barazpeshuara, AJ në fakt është tetë vjet më i ri se homologu i tij, ai ka po ashtu përparësi në fizik pasi është më i gjatë.

Joshua ka 24 ndeshje, 23 fitore prej të cilave ka një humbje, ndërsa Pulev ka 29 ndeshje, 28 fitore dhe gjithashtu vetëm një humbje.

Humbja e bullgarit vjen nga Wladimir Klitschko në vitin 2014, ndërsa Joshua u befasua nga Andy Ruiz.

Ndërkohë, Pulev dha mendimin e tij për kundërshtarin.

‘Unë kam qenë duke parë meçet e tij me kujdes. Ai ka një stil të mirë dhe është një shembull i mirë, por ai nuk ka treguar ndonjë qëndrueshmëri mendore, është mentalisht i dobët. Kjo është diçka nga brenda, në gjakun e një njeriu, dhe ai nuk e ka atë’, deklaroi Kubrat Pulev, transmeton lajmi.net.

Ndërsa Joshua ka dhënë verdiktin e tij për epilogun e ndeshjes.

‘Unë tërë jetën time kam luftuar ndaj njerëzve që godasin fort, edhe kjo nuk është ndryshe. E di se do të goditem, por do ta godas edhe unë, ky është ndryshimi, un kam karakterin që të kthehem dhe e kam treguar tërë jetën këtë. Kur të jemi në ring, nuk pres të jetë e lehtë, por me forcën dhe bindjen time, do ta mund atë’, deklaroi Anthony Joshua.

Kujtojmë që edhe shqiptari, Florian Marku do të ndeshet para meçit ndërmjet Joshua – Pulev.