Hidhet shorti i Superkupës së Spanjës, finalja më 17 janar
Janë përcaktuar çiftet gjysmëfinaliste të Superkupës së Spanjës, torfe që do të ketë një “pronar” të ri më fitues të ri më 17 janar.
Shorti i hedhur këtë të enjte gjatë Asamblesë së Jashtëzakonshme të RFEF, ka vënë përballë Barcelonën me Real Sociedadin, ndërsa Real Madridit do të përplaset me Athletic Bilbaon.
Ndeshja e parë gjysmëfinale Barcelona-Real Sociedad (në Cordoba), do të luhet të mërkurën, më 13 janar, ndërsa më 14 janar, pra një ditë më pas, do të luhet Real Madrid – Athletic Bilbao (në Malaga). Finalja është vendosur të zhvillohet më 17 janar, në “Cartuja Stadium” të Sevillas.
Ky turne ishte programuar të zhvillohej fillimisht në Arabinë Saudite, në janar 2021, por pamundësia për ta bërë turneun fitimprurës për shkak të mungesës së publikut si pasojë e Koronavoirusit e detyroi Federatën Spanjolle të Futbollit të kërkojë një vend alternativ për këtë edicion.
Me 83 vota pro, asnjë kundër dhe pesë abstenime, RFEF është autorizuar të negociojë dhe të zgjasë kontratën me organizatorët e Arabisë Saudite. Luis Rubiales, presidenti i RFEF deklaroi: “Ne kemi nënshkruar me Arabinë Saudite për tre vjet, plus tre të tjera opsionale, të cilat na ndihmojnë të financojmë disa projekte profesionale dhe joprofesionale të futbollit. Ne kërkojmë të zgjerojmë marrëveshjen për të garantuar financimin e këtyre programeve ”.
Edicionin e kaluar të Superkupës së Spanjës, Real Madrid u shpall kampion duke mposhtur Atléticon e Madrid në finale 4-1 pas goditjeve të 11-metërshave pasi 120 minuta lojë përfunduan me rrjeta të paprekura. Në gjysmëfinale, “Los Colchoneros” mposhtën 3-2 Barçën, ndërsa “Los Blancos” iu imponuan 3-1 Valencias. Ernesto Valverde u shkarkua si trajner i Barçës sapo u mbyll turneu duke ia lënë vendin Quique Setiénit.
Do të jetë hera e parë që Barça dhe Real Sociedad do të takohen në Superkupë sikurse Real Madridi me Athletic Bilbaon.
Gjysmëfinalet:
Real Sociedad-Barça: E mërkurë, 13 janar (Cordoba, “Nuevo Arcángel”)
Real Madrid-Athletic: E enjte 14 janar (Malaga, “La Rosaleda”)
Finalja: Të dielën, 17 Janar (Sevilla, “La Cartuja”)























