Barcelona i njofton largimin Coutinhos në janar
BKT
Sport

Barcelona i njofton largimin Coutinhos në janar

Lajm i pabesueshëm nga Katalonja. Barcelona ka vendosur që të largojë Philippe Coutinhon në merkaton e janarit. Mesfushori brazilian u rikthye në skuadër si kampion i Europës me Bayern Munchen, por trajektorja e tij nuk ishte ajo që të gjithë prisnin. Presidenti i përkohshëm i skuadrës, Carles Tusquets u ka dhënë urdhër drejtuesve që të komunikojnë me menaxherin e Coutinhos dhe t’i komunikojnë faktin që do të largohet.

Ai duhet të sjellë oferta në merkaton e janarit ose në të kundërt do të jetë Barcelona ajo që do të pranojë ofertat që do të vijnë në zyrat e saj. Ramon Planes ka nisur punën, e cila duket shumë e vështirë. Largimi i Coutinhos brenda 24 janarit është një mision thuajse i pamundur, transmeton Panorama.

Duket se arsyet që kanë shtyrë Barcelonën të marrin vendimin drastik për të ardhmen e Coutinhos është kriza ekonomike. Klubi është me bilance negative dhe pranë kolapsit, prandaj largimi i disa lojtarëve do të ulte shpenzimet për pagat dhe do të sillte disa miliona euro që mund të përdoren për merkaton e janarit.

Por presidenti aktual Tusquets duket se ka marrë edhe miratimin e trajnerit Ronald Koeman për të sakrifikuar Coutinhon. Numri një i stolit e vlerësoi dje në konferencë, por në takim me presidentin ka thënë se do t’i pëlqente të transferohej Memfis Depaj. La Liga do ta lejonte Barcelonën që të bënte merkato, vetëm nëse të ardhurat nga largimet do të ishin më të mëdha sesa shpenzimet për blerje.

Por kjo situatë ka dy probleme të mëdha. Fillimisht është lojtari, i cili nuk ka ndërmend të largohet në merkaton e janarit. Ai ka ardhur te Barcelona për të qëndruar dhe për të bërë gjithçka dhe për të fituar bastin me veten dhe me të tjerët. Ai nuk e pranon këtë gjë dhe ka vendosur që të kundërshtojë me forcë vendimin e klubit.

Problemi tjetër është që në këto momente ka shumë pak skuadra që mund të bëjnë shpenzime dhe që kanë interes për Coutinhon. Katalanasit duan të paktën 80 milionë euro për kartonin e tij.