Muriqi kritikohet nga mediat italiane
BKT
Sport

Muriqi kritikohet nga mediat italiane

Vedat Muriqi është kritikuar nga mediat italiane për mungesë kontributi në skuadrën e Lazios, duke qenë se kosovari ishte blerja kryesore e Simone Inzaghit në verë.

Sulmuesi i Kosovës iu bashkua Lazios nga Fenerbahce në verë dhe ende është në kërkim të golit të parë për skuadrën e re, pavarësisht se i ka zhvilluar 10 ndeshje deri tani në të gjitha garat.

Lazio i pagoi 20 milionë euro për sulmuesit prizrenas, duke e bërë atë blerjen më të madhe të skuadrën në afatin kalimtar të verës së kaluar.

Gazeta e përditshme italiane, Corriere dello Sport, ishte kritike ndaj Muriqit për paraqitjen e tij në humbjen e Lazios kundër Milanit të mërkurën në Serie A.

“Sulmuesi, për të cilin Lazio i pagoi rreth 20 milionë euro, nuk e ka shpaguar veten: zero gola, Inzaghi ka punë me të”, shkroi Corriere dello Sport.

“Kundër Milanit, për gati një orë në fushë, ai bëri shumë përpjekje dhe kjo ishte e gjitha. Ai, tani për tani, nuk është njeriu që mund ta bëjë ekipin të ngrihet lart”.

Pavarësisht vlerësimit të së përditshmes italiane, 26-vjeçari ka bërë përpjekje të mëdha sa herë që Inzaghi ia ka dhënë mundësinë dhe nuk e ka pasur aspak të lehtë.