ZPS kërkon nga Apeli që të refuzojë ankesën e Haradinaj për paraburgim

ZPS kërkon nga Apeli që të refuzojë ankesën e Haradinaj për paraburgim

Më 24 dhjetor 2020, gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, kishte marrë vendim me anë të së cilit i është vazhduar paraburgimi nënkryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Nasim Haradinaj.

Me 5 janar 2021, mbrojtja e Haradinaj kishte apeluar këtë vendim, ku më pas kryetarja e Dhomave të Specializuara, Ekaterina Trendafilova, kishte caktuar panelin e Gjykatës së Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me anë të ankesës së parashtruar ndaj vendimit të gjykatësit paraprak ishte sfiduar ligjshmëria e paraburgimit fillestar dhe paraburgimit që ishte vazhduar, dështimi i gjyqtarit të procedurës paraprake për të adresuar argumentet e mbrojtjes, paanshmëria e procedurës për rishikimin e paraburgimit të Haradinaj, dështimi i gjyqtarit në procedurë paraprake për të dhënë arsye, dështimi për të identifikuar një rreziku konkret, baza mbi të cilën u refuzua kërkesa për një seancë dëgjimore.

Ndërkaq, me 15 janar 2021, Zyra e Prokurorit të Specializuar, përmes një shkrese drejtuar panelit të Apelit kishte konsideruar se ky apelim duhet të hedhet poshtë pasi është i pabazuar dhe me argumente të pabazuara të cilat nuk demonstrojnë ndonjë gabim në vendimin e gjykatësit paraprak.

Me 25 shtator u arrestua Nasim Haradinaj, për të cilin më 26 shtator ishte bërë e ditur se është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara.”, thuhej tutje në njoftim./BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi