Mbrojtja kërkon sërish lirimin e Salih Mustafës nga paraburgimi

Mbrojtja kërkon sërish lirimin e Salih Mustafës nga paraburgimi

Mbrojtja e ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, ka kërkuar sërish lirimin e këtij të fundit nga paraburgimi.

Këtë e ka bërë përmes një shkrese drejtuar gjykatësit paraprak të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas mbrojtjes, pas konfirmimit të aktakuzës, duhet të mendohet nëse do të ishte e nevojshme të ndalohej një i akuzuar, i cili ka qenë në liri për më shumë se 20 vjet dhe se gjatë kësaj periudhe kohore, derisa ka jetuar në Kosovë, Mustafa nuk është dënuar për ndonjë krim dhe shumë rrallë është larguar nga vendi i tij i lindjes.

Tutje, sipas mbrojtjes, Mustafa pasi është intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS), është larguar nga Holanda e ka shkuar sërish në vendin e tij dhe nuk ka ndërmarrë kurrë diçka kundër dikujt, si dhe nuk ka kryer ndonjë vepër penale brenda asaj periudhe kohore.

Mbrojtja ka pretenduar se të thuhet se Mustafa është kërcënim ose do të ishte një kërcënim për dikë është plotësisht pretendim i pabazuar.

Të pabazuar e kanë cilësuar edhe pretendimin e ZPS-së lidhur me rrezikun e arratisjes së Mustafës.

Në këtë shkresë, mbrojtja ka thënë se Mustafa edhe në një rast të mëparshëm ka pohuar se mundet të qëndrojë në arrest shtëpie ose në ndonjë formë tjetër të paraburgimit pa qenë në paraburgim në Holandë.

Sipas tyre, edhe pajisjet teknike mund të instalohen në shtëpinë e Mustafës dhe mbi të personalisht, në mënyrë që të sigurohet që ai nuk do të largohet nga shtëpia e tij në Kosovë.

Mbrojtja ka thënë se i akuzuari është shtetas i Kosovës dhe është rezident në Kosovë, e se ka bashkëpunuar me ZPS-së, si dhe se ka shkuar vullnetarisht në Holandë për tu intervistuar nga këta të fundit.

Avokati i Mustafës, në këtë shkresë ka shkruar se mbrojtja parashtron se i akuzuari duhet të lirohet ose të lirohet me kusht.

Sipas mbrojtjes, nëse do të ketë ndonjë thirrje për Mustafën apo ndonjë orar për tu paraqitur, i akuzuari do të paraqitet në seancat e gjykatës, qoftë përmes VTC apo Vivo.

Tutje, thuhet se Mustafa do të dorëzojë vullnetarisht pasaportën e tij. Sipas tyre, në thelb i akuzuari do të qëndrojë në shtëpinë e tij me familjen e tij dhe do të punojë në punën e tij aktuale në mënyrë që të sigurojë të ardhura për familjen e tij.

Mirëpo, sipas tyre nëse projektohet një kusht që i njëjti nuk duhet të punojë fare, i akuzuari do t’i përmbahet këtij kushti.

Mustafa është i arrestuari i parë nga Specialja.

Më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.

I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga ZPS-ja.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi