Partitë politike nuk kanë bërë asgjë për pensionistët

Partitë politike nuk kanë bërë asgjë për pensionistët

Kryetari i Sindikatës së Pensionistëve, Invalidëve dhe të Moshuarve të Kosovës Sylejamn Meta, ka kritikuar të gjitha subjektet politike për mos adresim të interesave të pensionistëve në mënyrën më të mirë të duhur.

Këtë qëndrim të tij, ai e shprehu në Konferencën virtaule me temën “Sfida ligjore të pensionistëve në Kosovë”, të organizuar në Qendra për Ndihmë Juridike e Institutit të Kosovës për Drejtësi (QNJ-IKD), raporton “Betimi për Drejtësi”.

Meta tha se mos interesimi i partive politika për pensionistët, vërehet edhe nga mos pjesëmarrja partive politike në këtë konferencë, pavarësisht se të gjithë ata kanë pasur ftesa që të paraqitën në këtë konferencë.

“Shprehi keqardhje për ata që nuk janë bashkëngjitë në këtë konferencë pasi fati i pensionistëve është në gjendje shumë të keqe por papërgjegjësia e institucioneve ka ngelë dhe jemi në situatën që jemi. Të moshuarit janë në gjendjen me të keqe nga të gjitha shtresat në Kosovë”, tha Meta.

Ai shtoi se Ligji për skemat pensionale të Kosovës, i cili tha se është marrë si shembull nga shteti i Kilit, sipas tij, përpos që është ligji më i keq në rajon dhe Evropë, është shumë diskriminues për pensionistët pasi sipas tij të gjithë të larguarit nga puna në masat e dhunshme nga Ish-Jugosllavia, nuk iu njihet stazhi i punës, ndërsa ata që në atë kohë janë punësuar, i marrin ato pensione.

“Gjatë hartimit të ligjit për skemat pensionale dhe e kemi parë që është ligj diskriminues, ne kemi parë që marrin pensione ata që i ka punësu Serbia, ndërsa të dëbuarit nga puna në masat e dhunshme nuk i njihet stazhi i punës, ne se kemi marrë me mend se do të përjashtohen të gjitha titujt akademik, magjistarë, doktor i shkencës dhe kur del në pension nuk i njihet kualifikimi, por ai ligj është marrë nga Kili si shtet eksperimental, kurse janë lënë anash të gjitha shtetet e rajonit dhe Evropës dhe është ligji më i keq në rajon dhe Evropë, andaj është në këtë gjendje”, tha ai.

Meta po ashtu tha se Kosova nuk ka bërë asgjë as për pensionet të cilët pensionistët duhet të përfitojnë nga shteti i Serbisë, për shkak të kontributeve që kanë bërë gjatë punës së tyre jetësore, që sipas tij, Serbia ka “grabitur” 2 miliard euro, kontribute të 88,901 pensionistëve kosovar dhe për të përfituar këtë, ai tha se këta pensionist duhet që të kenë shumë vështirësi në mënyrë që të marrin pensionet që iu takojnë dhe në shumë raste nga ta është kërkuar nga Serbia që të bëhen shtetas të tyre.

Lidhur me këtë çështje, Meta tha se kjo nuk mund të jetë pjesë e bisedimeve politike të dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë por sipas tij institucionet kosovare dhe ato ndërkombëtare duhet të bëjnë më shumë që Serbia ta zbatoj vendimin e Gjykatës Evropiane për Drejtat e Njeriut, të njohur si “Rasti Grudiq”.

Meta, në fund të deklarimit të tij, bëri thirrje që çfarëdo qeverie që vije të trajtoj me prioritet çështjen e pensionistëve.

Ndryshe, më 17 prill 2012, Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg ka nxjerrë vendim me të cilin ka njohur të drejtën e qytetarëve të Kosovës, respektivisht të Mahmut dhe Lutvije Grudiq në realizimin e pensionit nga Fondi Pensional dhe kompensimin retroaktiv të pensioneve.

Ky vendim i Gjykatës së Strasburgut është obligativ dhe Republika e Serbisë është e detyruar që të njëjtin ta zbatojë nga viti 2012 për të gjithë qytetarët e Kosovës që kanë kontribuuar në fondin pensional të Kosovës, i cili ishte përvetësuar nga Serbia. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi