Anëtarët e KGJK-së kërkojnë që gjyqtarët e avancuar t’i kryejnë lëndët

Anëtarët e KGJK-së kërkojnë që gjyqtarët e avancuar t’i kryejnë lëndët

Një kërkesë e gjyqtarëve të Departamentit të Krimeve të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, që ata të mos ngarkohen me lëndë të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ishte objekt diskutimi gjatë mbledhjes së Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK) të mërkurën.

Nëntë gjyqtarë të krimeve të rënda të Gjykatës në Prishtinë, përmes një parashtrese të bërë më 21 janar 2021, të cilën ia kanë drejtuar KGJK-së dhe Ushtruesit të detyrës së Kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kanë kërkuar që ata të mos ngarkohen me lëndët e PSRK-së, me të cilat kanë qenë të ngarkuar gjyqtarët të cilët tashmë janë avancuar në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe atë të Apelit.

Gjyqtarët që e kanë nënshkruar këtë kërkesë janë Naser Foniqi, Fatime Dërmaku, Shpresa Hasaj-Hyseni, Alltën Murseli, Agim Kuçi, Kushtrim Shyti, Avni Syla, Alban Ajvazi dhe Medie Bytyqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përmes kësaj parashtrese, ata kanë kërkuar që këto lëndë të Prokurorisë Speciale t’i gjykojnë gjyqtarët përkatës të Departamentit Special, me arsyetimin se procedura në ato lëndë duhet të fillojë rishtas në rast se nuk ndodh një gjë e tillë.

E mendim të njëjtë me këta gjyqtarë patën edhe anëtarët e KGJK-së të cilët diskutuan për këtë çështje gjatë mbledhjes së mërkurës.

Kryesuesi i KGJK-së, Skender Çoçaj, tha se një situatë e tillë kishte ardhur edhe kur kishin ndodhur avancimet e kaluara në Departamentin Special, me ç ‘rast gjyqtarët e krimeve të rënda i ishin drejtuar edhe Gjykatës Supreme dhe asaj Kushtetuese.

Përkitazi më ketë, Çoçaj tha se Supremja e ka sqaruar këtë pjesë, andaj në praktikë, kryesuesi tha se kjo duhet të rregullohet mes vet gjyqtarëve dhe kryetarit të gjykatës.

Sipas tij, nuk ka dilemë se gjyqtarët që janë avancuar në Departamentin Special duhet t’i gjykojnë ato lëndë që i kanë pas, e sidomos lëndët që janë me aktakuza të PSRK-së.

Për këtë, Çoçaj tha se KGJK nuk duhet të merr vendim pasi këtë çështje e ka rregulluar ligji.

Mendim të ngjashëm me kryesuesin pati edhe gjyqtari Driton Muharremi. Ky i fundit tha se duhet t’i bëhet e qartë ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës në Prishtinë, se lëndët që janë në rrjedhë e sipër, assesi nuk guxojnë të kthehen rishtazi, ndërsa përjashtim këtu mund të bëjnë, sipas Muharremit, vetëm lëndët që nuk janë prek fare dhe për të cilat nuk ekziston rreziku sikurse për lëndët që janë në procedim e sipër.

Muharremi i cili është gjyqtar i krimeve të rënda në Gjykatën e Apelit tha se në gjykatën ku ai punon, gjyqtarët e Departamentit Special ngarkohen edhe me lëndë të krimeve të rënda në mënyrë të barabartë me gjyqtarët e krimeve të rënda dhe se për këtë çështje nuk kanë pasur asnjë problem.

Për këtë arsye, Muharremi tha se pyetja kryesore në këtë aspekt është nëse Këshilli është kompetent për këtë çështje, kur gjykata ka një ushtrues detyre të kryetarit, për të cilin tha se duhet të rregulloj këtë çështje me gjyqtarët e tij.

Lidhur me këtë, edhe gjyqtari Qerim Ademaj tha se duhet t’i konkretizohet edhe ushtruesit të detyrës, pasi siç tha, po duket që as vet ai nuk e ka të qartë.

Kurse, gjyqtari Avni Mehmeti tha se sa i përket mendimit të Gjykatës Supreme, kjo e fundit ka prekur vetëm çështjen e lëndëve të PSRK-së që kthehen në rigjykim se a duhet të shkojnë në Departamentin e Krimeve të Rënda apo në Departament Special dhe jo nëse gjyqtarët e Departamentit Special duhet të merren edhe me lëndë të krimeve të rënda.

Duke vendosur një analogji me një vendim që KGJK kishte marrë dje, me ç’rast ishte lejuar gjyqtari Mentor Bajraktari nga Departamenti Special të kryej edhe disa lëndë të krimeve të rënda në Gjykatën e Gjakovës, gjyqtari Mehmeti tha se e njëjta kërkesë është edhe nga gjyqtarët e Prishtinës, që gjyqtarët e avancuar të mos shkarkohen nga lëndët që kanë pasur, sidomos lëndët e shenjestruara.

Sipas Mehmetit, KGJK i mbetet t’i identifikojë ato lëndë dhe gjyqtarëve të Departamentit Special të ju kërkohet që t’i kryejnë ato lëndë dhe njëkohësisht të vazhdojnë punën në Departament Special.

Për këtë, Mehmeti propozojë që të bëhet edhe një udhëzim pasi siç tha, nga kërkesa e gjyqtarëve të krimeve të rënda, thuhet se lëndët tashmë janë në shkrimore dhe ju është kërkuar të njëjtëve që të shkojnë t’i marrin ato.

Mehmeti tha se duhet t’i behet e qartë ushtruesit të detyrës së kryetarit të Gjykatës në Prishtinë që të zbatojë ligjin dhe rregulloren për Departamentin Special.

E lidhur me këtë, drejtori i sekretariatit në KGJK, Shkëlzen Maliqi tha se nuk është nevojshme që të nxjerrët udhëzim por vetëm t’i thuhet ushtruesit të detyrës të kryetarit që të zbaton ligjin.

Në fund të diskutimit, u vendos që kryesuesi Çoçaj të kontaktojë me ushtruesin e detyrës së kryetarit, Arben Hotin, për sqarimin e kësaj çështje.

Ndryshe, gjyqtari Mehmeti ngriti edhe një çështje tjetër pasi tha se nga informatat që ka ai, dy gjyqtar që janë avancuar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit janë caktuar të shërbejnë në Departamentin për të Mitur nga kryetari, për çka tha nuk lejohet me ligj. Po ashtu, Mehmeti tha se ka informata që një tjetër gjyqtar që avancuar nuk është ngarkuar fare me lëndë.

Për këtë arsye, i njëjti kërkojë që të verifikohen këto informata dhe të njëjtat të diskutohen në mbledhjet tjera.

Lidhur me këtë, gjyqtari Driton Muharremi tha se në Departamentin për të Mitur në Apel janë dy gjyqtar të caktuar, Hashim Çollaku dhe Afrim Shala që ngarkohen me lëndë kurse nevojitet edhe një anëtar për të kompletuar kolegjin. Ndërsa për gjashtë gjyqtarët e Departamentit Special, Muharremi tha se janë të ngarkuar me lëndë të Speciales dhe të krimeve të rënda.

Pikë tjetër e rendit të ditës që u diskutua gjatë mbledhjes e cila është duke vazhduar, ishte edhe raportimi i kryesuesit për buxhetin e aprovuar.

Për këtë, Çoçaj tha se është pikë e veçante në raportin e punës së KGJK-së dhe në mbledhjen e radhës tha se do të jep informata më të detajuara.

Duke ju përgjigjur pyetjeve të gjyqtarit Mehmeti, kryesuesi tha se asnjë shtesë, duke përfshirë ato për gjyqtarët special nuk është miratuar, siç nuk është miratuar as buxheti shtesë për punësim të stafit. Kjo, siç tha Çoçaj, ka ndodhur për shkak se siç i ishte thënë gjatë një takimi që kishin pasur në Qeveri, arsyeja ka qenë ndikimi i pandemisë.

Gjatë mbledhjes, Këshilli diskutojë edhe për një kërkesë të ardhur nga gjyqtari Blerim Halimi, i cili është dekretuar këtë javë si gjyqtar. Siç tha kryesuesi, gjyqtari në fjalë jeton në Gjilan ndërsa është caktuar të punojë në Mitrovicë. Për këtë arsye, i njëjti ka kërkuar që të caktohet në njërën nga gjykatat në Prishtinë, Gjilan apo Ferizaj.

Lidhur me këtë, drejtori i sekretariatit në KGJK, Shkëlzen Maliqi tha se nga gjyqtari në fjalë është informuar se nëse nuk rishqyrtohet vendimi dhe të caktohet në një gjykatë tjetër, atëherë i njëjti nuk ka mundësi për të vazhduar punën në Mitrovicë për shkak të distancës që ka me Gjilanin.

Mirëpo, me këtë kërkesë nuk u pajtua gjyqtari Mehmeti i cili tha se Këshilli nuk mund të pranojë shantazhe të tilla, duke shtuar se nëse aprovohet kjo kërkesë, atëherë e njëjta mund të krijojë një efekt domino dhe kërkesa të tilla të fillojnë të vijnë edhe nga gjyqtarët tjerë.

Pas disa diskutimeve, Këshilli vendosi të shtyjë për mbledhjen e radhës këtë pikë, ashtu që mbeti të merret edhe një opinion nga zyra ligjore. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi