Mbrohen në heshtje të akuzuarit për veprën penale

Mbrohen në heshtje të akuzuarit për veprën penale

Kreshnik Maqani dhe Leonard Trepça, në seancën e shqyrtimit kryesor kanë vendosur që të mbrohen në heshtje lidhur me akuzat që i rëndojnë ata për udhëtim me qëllime të bashkimit në organizatat terroriste në Siri.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) i ngarkon ata me veprën penale “udhëtim për qëllime terrorizmi”, me arsyetimin se të njëjtit, më 22 shtator 2019, përmes kalimit të pikës kufitare të Hanit të Elezit, kanë lëshuar vendbanimin e tyre të përhershëm duke udhëtuar drejtë Turqisë, me qëllim që t’u bashkohen organizatave terroriste në Siri, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Do ta shfrytëzojmë të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje, i kemi kuptu udhëzimet e gjykatës dhe jemi konsultu mjaftueshëm me mbrojtësit”, thanë dy të akuzuarit.

Paraprakisht, në këtë seancë ishte planifikuar që në cilësi të dëshmitares të dëgjohej Shpëtime Bajraliu, bashkëshorte e të akuzuarit Kreshnik Maqani.

Mirëpo, para se e njëjta të ftohej për t’u dëgjuar, avokati mbrojtës i të akuzuarit Maqani, Asdren Bytyqi i ka propozuar gjykatës lirimin e saj nga detyrimi për të dëshmuar, bazuar në dispozitën e nenit 127 par.1 pika 1.1 të KPPK-së.

“Në kuptim të nenit 127 par.1 pika 1.1 i propozoi gjykatës që dëshmitarja të lirohet nga e drejta e dëshmimit për arsye se janë plotësuar të drejtat ligjore nga kjo dispozitë i cili nuk e detyron dëshminë në rrethana të tilla, pasi është bashkëshorte e të akuzuarit Maqani”, tha avokati Bytyqi.

Një propozim i tillë u kundërshtua nga prokurorja Speciale Fikrije Fejzullahu, me arsyetimin se në rastin konkret nuk ishin përmbushur kushtet ligjore nga neni të cilit i’u referua mbrojtja.

“E kundërshtoj propozimin e mbrojtjes ngase në rastin konkret nuk janë përmbushur elementet e dispozitës të nenit 127 par.1 i kodit të procedurës penale që flet për detyrimin dhe lirimin nga dëshmia të dëshmitarit, sepse vepra penale që e cila është çështje e shqyrtimit është e dënueshme prej 3-10 vjet. Kjo nuk e liron dëshmitaren nga dëshmia edhe pse është bashkëshortja e të akuzuarit”, tha prokurorja Fejzullahu.

Pas konsultave me anëtarët tjerë të trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gërguri ka aprovuar propozimin e mbrojtjes, duke liruar nga dëshmimi Shpëtime Bajraliun, bazuar në dispozitën e nenit 127 par.1 pika 1.1 të KPPK-së.

Sa i përket dëshmitares tjetër të propozuar në akuzë, Liridona Rexha, e cila është bashkëshorte e të akuzuarit të dytë, Leonard Trepça, prokurorja u tërhoq nga dëgjimi i saj, por propozoi leximin e deklaratave të dhëna në polici nga ajo.

Mirëpo, një propozim i tillë u kundërshtua nga avokatja e të akuzuarit Trepça, Fehmije Gashi Bytyqi, e cila i ka propozuar gjykatës që një provë e tillë të shpallet e papranueshme, me arsyetimin se gjatë marrjes në pyetje në polici, dëshmitarja Rexha, nuk ishte udhëzuar sipas nenit 128 par.1 pika 1.2 të KPPK-së.

“Duke u nisur nga neni 128 par.1 pika 1.2 i KPPK-së, ku taksativisht citon “personi është i liruar nga dëshmimi, por nuk është vënë në dijeni për këtë ose shprehimisht nuk ka hequr dorë nga kjo e drejtë, apo kur udhëzimi apo heqja dorë nuk është shënuar në procesverbal”. Në këtë situatë kur Liridona Rexha është marrë në pyetje nga Policia e Kosovës sektori Drejtoria Kundër Terrorizmit, nuk e kanë vënë në dijeni as Liridona Rexhën, bashkëshorte e të mbrojturit tim Leonard Trepça, e as dëshmitaren Shpëtime Bajraliu, bashkëshorte e të pandehurit Kreshnik Maqani. Andaj, në kuptim të kësaj dispozite që është imperative, si rrjedhojë dëshmitë e dy bashkëshorteve duhet të shpallen provë e papranueshme”, tha avokatja Gashi-Bytyqi.

Ky propozim i prokurores, për leximin e deklaratave të dëshmitares Rexha të dhëna në polici, u refuzua nga gjykatësja Shadije Gërguri, me arsye se në procesverbalin e marrjes së deklaratës në polici, nuk është shënuar lidhja farefisnore mes të pandehurit Trepça dhe asaj.

Gjatë kësaj seance u administruan në cilësi të provave materiale të dhënat e policisë kufitare, raporti i foto dokumentacionit që është nxjerrë nga aparati telefonik të të pandehurit Leonard Trepça, lista e dëshmive nga Drejtoria kundër Terrorizmit në lidhje me dosjen e hetimit, raporti i ekspertizës nga drejtoria e teknikës kriminalistike.

Seanca e radhës do të mbahet më datën 8 shkurt nga ora 13:30, ku parashihet të jepet fjala përfundimtare nga palët.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ushtruar më 18 gusht 2020, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, Kreshnik Maqanin dhe Leonard Trepçën i akuzon për kryerjen e veprës penale  “udhëtim për qëllime terrorizmi” .

Kjo me pretendimin se të njëjtit, më 22 shtator 2019, përmes kalimit të pikës kufitare të Hanit të Elezit, kanë lëshuar vendbanimin e tyre të përhershëm duke udhëtuar drejtë Turqisë, me qëllim që të shkojnë në Siri dhe t’u bashkëngjiten organizatave terroriste.

Sipas aktit akuzues, të pandehurit kanë qëndruar atje deri më  6 shtator 2019, ku më pas edhe janë arrestuar nga autoritetet turke në vijën kufitare Turqi – Siri. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi