RMV marrëveshje me Sinovac për 200 mijë vaksina
Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe, ka deklaruar se vaksinat e para që do të vijnë në vend, janë ato kineze, të kompanisë Sinovac.
Gazetarja Ferikan Iljazi raporton nga Shkupi se Maqedonia e Veriut ka porositur tek kompania kineze 200 mijë doza, të cilat pritet të vijnë në fund të muajit shkurt, por ende nuk ka një datë të saktë.
Sipas gazetares pritet që edhe procesi i vaksinimit të nisë në fund të këtij muaji.
Vaksinimi do të nisë me bluzat e bardha dhe më pas do të injektohet edhe tek 14 mijë persona që janë me sëmundje kronike.
Më tej do të hartohen edhe listat e tjera për personat e punësuar në arsim dhe gazetarët.
Për situatën aktuale të pandemisë në RMV, gazetarja raportoi se ka pasur një stabilitet, sa i përket shifrave të viktimave dhe se numri i të infektuarve ka qenë në një nivel normal, duke bërë krahasime me të kaluarën.
Ndërkohë nuk ka pasur ndonjë paralajmërim për kufizime nga ana e autoriteteve vendase.























