Dënohen me kusht të akuzuarit për falsifikim të rezultateve të votimit

Dënohen me kusht të akuzuarit për falsifikim të rezultateve të votimit

Shtatë të akuzuarit për falsifikim të rezultateve të votimit në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 11 qershor 2017, Enver Mehmeti, Lulzim Leskovci, Behar Ibishi, Kenan Omuri, Donita Etemi, Dardan Marevci dhe Emir Jashari, janë dënuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj me nga 1 vit burgim me kusht.

Kjo pasi që të njëjtit kanë arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokuroren e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Sebahate Sinani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit të shpallur të martën, nga gjykatësi Ibrahim Idrizi, dënimi me burg ndaj të akuzuarve nuk do të ekzekutohet, nëse të njëjtit nuk kryejnë vepër penale brenda 2 viteve.

Para shpalljes së aktgjykimit, prokurorja Sinani deklaroi se qëndron pranë marrëveshjes së arritur me të akuzuarit, për pranimin e fajësisë. Kjo pasi e njëjta tha se marrëveshja është arritur në mënyrë vullnetare nga të gjithë të pandehurit, duke i propozuar kështu gjykatës aprovimin e saj.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Enver Mehmeti, Lulzim Leskovci, Behar Ibishi, Kenan Omuri, Donita Etemi, Dardan Marevci dhe Emir Jashari akuzohen se më 11 qershor 2017, gjatë mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, në vendvotimin me numër 2501X/05R, në shkollën “Pjetër Bogdani”, në Ferizaj, i pandehuri i parë në cilësinë e kryesuesit të vendvotimit, ndërsa të pandehurit tjerë në cilësinë e anëtarëve të vendvotimit të lartshënuar, kanë falsifikuar rezultatet e votimit, në atë mënyrë që me rastin e numërimit të votave të kandidatëve të tjerë, duke i regjistruar në mënyrë jo të saktë gjithsej 63 vota, prej tyre 38 vota të shtuara dhe 25 vota të hequra, fakt ky i vërtetuar me rastin e rinumërimit të votave nga ana e KQZ-së.

Me këtë, secili veç e veç akuzohet se ka kryer veprën penale “Falsifikim i rezultateve të votimit” nga neni 219, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi