Prokuroria inicion rast lidhur me sulmin fizik ndaj gazetarit Visar Duriqi

Prokuroria inicion rast lidhur me sulmin fizik ndaj gazetarit Visar Duriqi

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka iniciuar rast lidhur me sulmin fizik ndaj gazetarit Visar Duriqi, në drejtim të veprës penale “lëndimi i rëndë trupor”.

Lajmi u bë i ditur përmes një komunikate për media të kësaj prokurorie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm, njofton opinionin lidhur me incidentin ndaj gazetarit V.D., se me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Lëndimi i rëndë trupor”, nga neni 186 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.”, thuhet në njoftim.

Tutje, bëhet e ditur se Prokurori i Shtetit ka autorizuar Policinë e Kosovës për ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore, me qëllim të sqarimit të rastit dhe zbulimit të kryerësve të kësaj vepre penale.

Ndryshe, lidhur me këtë rast ka reaguar edhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).

IKD, përmes një komunikate për media, ka kërkuar hetim të shpejtë dhe profesional për të nxjerrë para drejtësisë akterët e këtij krimi.

Komunikata e plotë:

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) dënon fuqishëm sulmin fizik ndaj gazetarit Visar Duriqi dhe kërkon hetim të shpejtë dhe profesional për të nxjerrë para drejtësisë akterët e këtij krimi.

Sulmi fizik dhe format e kanosjes ndaj gazetarëve në Kosovë janë të papranueshme dhe të dënueshme në një vend shoqëri demokratike.

Sulme të tilla ndaj gazetarëve janë përpjekje e drejtpërdrejtë për kufizim të lirisë së fjalës që kanë për qëllim frikësimin e gazetarëve dhe të shoqërisë për të shprehur mendimin lirshëm. Në këtë formë ndërtohet praktika e një rrugë anarkiste, ku individët mbesin më të fuqishëm sesa ligji.

IKD i bën thirrje sistemit të drejtësisë, që të ndërmerr të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e këtij rasti, duke nxjerrë para drejtësisë akterët e këtij krimi, të cilët duhet të marrin dënimin meritor.

IKD ua bën me dije të gjithë akterëve të përfshirë në raste të tilla kriminale se ata nuk mund të zbrapsin asnjëherë gazetarët dhe mediat në kryerjen e detyrave në shërbim të informimit të publikut. Përkundrazi, raste të tilla, dëshmojnë se komuniteti i gazetarëve vazhdon të mbetet i përkushtuar në kryerjen e detyrave të veta, të cilat padyshim se janë pengesë e individëve dhe grupeve kriminale. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi