Greqi, spitalet shtetërore përtej kapaciteteve

Greqi, spitalet shtetërore përtej kapaciteteve

Për shkak të rritjes së vazhdueshme të infektimeve me COVID-19 në Athinë, qeveria greke dëshiron të angazhojë spitalet private që të ndihmojnë në trajtimin e pacientëve, tha sot ministri grek i Shëndetësisë, Vasilis Kikilias, për televizionin shtetëror.

Autoritetet shëndetësore regjistruan 2 702 infeksione të reja dhe 40 viktima brenda 24 orëve, numri më i lartë i parë këtë vit, deri më tani.

“Në spitale, janë pranuar edhe më shumë pacientë me COVID-19, me sistemin shëndetësor në Athinë jo më në alarm të kuq, por të kuq të errët”, tha Kikilias.

Aktualisht, 431 pacientë COVID-19 janë në ventilator në kryeqytet dhe 1 528 pacientë në pavijone të zakonshme Covid.

Pacientët, që nuk vuajnë nga COVID-19, është dashur të transferohen në spitale private ose ushtarake.

Qeveria, gjithashtu, vendosi masa më të rrepta bllokimi, duke filluar nga e enjtja në mëngjes dhe që do të zgjasin deri më 16 mars.

Rregullat e reja kufizojnë rrezen për blerjen e artikujve ushqimorë në dy kilometra ose në komunitetin lokal.

Qytetarët duhet t’u dërgojnë një mesazh me shkrim autoriteteve, nëse duan të largohen nga shtëpia e tyre.

I krahasuar me vendet e tjera, numri i infektimeve në Greqi është ende relativisht i ulët, por sektori i shëndetësisë është gjymtuar me vite për shkak të pasojave të krizës financiare dhe tani vështirë se mund ta përballojë pandeminë./atsh


MË SHUME NGA Rajoni