Kalimi i dosjes së Mustafës te trupi gjykues pritet të ndodh me 30 prill

Kalimi i dosjes së Mustafës te trupi gjykues pritet të ndodh me 30 prill

Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou, në fund të konferencës së pestë mbi ecurinë e çështjes në rastin e Salih Mustafës ka dhënë disa urdhra, ku ndër tjera tha se kalimi i dosjes në këtë çështje te trupi gjykues pritet të ndodh me 30 prill.

Ai deklaroi se pasi dëgjoi palët për kalendarin e propozuar, lëshon urdhrin që deri me 16 prill, mbrojtja urdhërohet të njoftojë ZPS-në për alibinë dhe të nxjerr çdo material tjetër të mundshëm në bazë të rregullit 104 (1) (a).

Sipas tij, nëse mbrojtja dëshiron t’i drejtohet gjykatësit me ndonjë kërkesë për masa mbrojtëse lidhur me këtë material, këtë duhet ta bëjë deri me 18 mars.

Me 6 prill, mbrojtja është urdhëruar të dorëzojë çdo kërkesë për masa mbrojtëse për dëshmitarët alibi dhe jo alibi.

“Për t’i lejuar mbrojtjes të paraqes çdo material rreptësisht konfidencial, ex-parte në versionin të redaktuar për masa mbrojtëse, ZPS mund të përgjigjet nëse dëshiron brenda 5 ditësh nga njoftimi konfidencial”, ka thënë ai.

Sipas tij, zyra e mbrojtjes së dëshmitares do të paraqesë vlerësimin e saj të rreziqeve për çdo dëshmitarë që mbrojtja mund të kërkojë brenda 5 ditësh nga njoftimi.

Tutje, tha se deri me 16 prill, mbrojtja ftohet të parashtrojë dosjen paraprake, ndërsa kalimi i dosjes së çështjes në trupit gjykues pritet që të ndodh në 30 prill.

“Gjithashtu dëshiroj të organizoj çështjet lidhur me shqyrtimin tjetër të paraburgimit duke lëshuar urdhra gojore. Mbrojtja e Mustafës duhet të paraqes parashtrime nëse ekzistojnë apo jo arsyet për vazhdimin e paraburgimit deri 11 mars, ZPS mund të përgjigjet deri me 17 mars”, ka thënë ai.

Në fund, ai tha se nëse palët mendojnë se kanë nevoje për një konferencë tjetër ftohen të bëjnë kërkesat e tyre.

Ndryshe, më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë. Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës.

I njëjti ishte deklaruar i pafajshëm për akuzat që i vihen në barrë nga ZPS-ja.

“Aktakuza e konfirmuar përcakton se afërsisht midis 1 prillit 1999 dhe 19 prillit 1999, në një kompleks ndalimi në Zllash, Kosovë, u kryen krimet e ndalimit arbitrar, trajtimit mizor dhe të torturës kundër të paktën gjashtë personave. Gjithashtu, në aktakuzë thuhet se në një datë midis 19 prillit 1999, ose rreth kësaj date, dhe rreth fundit të prillit 1999, në atë vendndodhje u vra një i ndaluar”, ka njoftuar Gjykata Speciale përmes një komunikate.

Bëhet e ditur se në aktakuzën e konfirmuar, Salih Mustafa akuzohet në kuadër të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për: ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jo ndërkombëtar në Kosovë, ose në lidhje me atë konflikt. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi