Trajneri i Suedisë për Kosovën: E dimë që janë ekip i aftë
Trajneri i Kombëtares së Suedisë, Janne Andersson ka dhënë mendimin e tij personal për Kombëtaren e Kosovës.
Suedia do udhëtojë me 28 mars që të përballet me Kosovën në “Fadil Vokrri”.
Së fundmi, është bërë publike edhe lista e të ftuarve të Andersson, derisa në listë ndodhej edhe ylli i AC Milanit, Zlatan Ibrahimovic.
Andersson ka lavdëruar Kosovën duke theksuar se janë ekip i aftë edhe kur i mungojnë disa nga lojtarët kryesorë.
“Edhe Kosova edhe Gjeorgjia kanë shumë lojtarë të mirë dhe të aftë teknikisht. Ne u takuam me Kosovën gjatë turneut të janarit në vitin 2020 dhe e dimë që është një ekip i aftë edhe nëse nuk kanë ekipin më të mirë të mundshëm aktualisht. Si zakonisht, duhet të jemi të kujdesshëm në përgatitjet tona dhe të bëjmë paraqitje të mira për të marrë fillimin që duam në kualifikime”, u shpreh ai, transmeton lajmi.
Kosova tani do ta këtë më të vështirë përballjen ndaj Suedisë duke marrë parasysh pjesëmarrjen e Ibrahimovicit.























