Fillon rigjykimi në rastin “Stenta”

Fillon rigjykimi në rastin “Stenta”

Rreth një vit e tre muaj pasi që Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim, të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka filluar rigjykimi i rastit të njohur si “Stenta”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar po akuzohen ish-ministri i Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), Gani Shabani. Të dy këta ishin shpallur fajtor në prill të vitit 2019, me ç`rast Agani ishte dënuar me dy vite e gjashtë muaj burgim, kurse Shabani me dy vite burgim. Por, pas ankesave, ky aktgjykim ishte anuluar nga Apeli në dhjetor të vitit 2019 , raporton “Betimi për Drejtësi”.

E në seancën e parë të rigjykimit, që u mbajt para një trupi të ri gjykues të kryesuar nga gjykatësi Kujtim Krasniqi, prokurorja speciale Florije Salihu-Shamolli tha se qëndron prapa aktakuzës të cilën e kishte precizuar në fjalën përfundimtare të gjykimit kaluar. Sipas aktakuzës së precizuar, të akuzuarit ngarkohen për veprimet e tyre nga data 22 prill 2012 deri më 31 dhjetor 2015 për dallim nga aktakuza e parë e cila i ngarkonte për periudhën kohore nga 1 janari 2011 deri më 31 dhjetor 2015.

Pas leximit të aktakuzës, të akuzuarit Agani dhe Shabani u deklaruan se nuk e ndjejnë vetën fajtorë për veprën penale me të cilën ngarkohen.

Në fjalën e tij hyrëse, mbrojtësi i Aganit, avokati Adem Vokshi renditi nëntë rrethana të cilat janë përmendur edhe në aktvendimin e Apelit, e të cilat sipas Vokshit duhet të sqarohen në rigjykim.

Siç tha Vokshi, në rigjykim duhet të kërkohet plotësimi i opinionit ligjor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik se cili ligj gjen zbatim në marrëveshjet e lidhura mes MSH-së dhe spitaleve private pasi siç tha, Apeli kishte konstatuar se aktgjykimi i kaluar i Themelores është i përfshirë me shkelje të ligjit penal pasi i ishte referuar ligjit për prokurimi publik, i cili ligj, sipas Vokshit, nuk rregullon çështjen e subvencioneve.

Po ashtu, avokati tha se duhet të sqarohet se cilat procedura ka qenë dashur t’i ndërmerr Ferid Agani në rastin e marrëveshjeve me spitalet private, si dhe kërkojë nga prokuroria të sigurohet dosja e 650 pacienteve lidhur me të cilët pretendohet se është kryer vepra penale nga të akuzuarit. Në këto dosje, Vokshi tha se duhet të jenë vendimet e aprovuara nga komisioni për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore, kërkesat e pacienteve, pro-faturat dhe pagesat e bëra.

“Të vlerësohet se a duhej të zbatohej ligji për ndihmë shtetërorë gjatë dhënies së subvencioneve për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore gjatë viteve 2012-2015, me ç’rast propozojmë që gjykata t’i drejtohet komisionit për ndihmë shtetërorë për sqarim nëse ky komision ka ekzistuar apo jo dhe nëse është dashur që z. Agani t’i drejtohet, për zbatim të ligjit për ndihmë shtetërore”, tha në fjalën e tij avokati Vokshi.

Gjithashtu, mbrojtja e Aganit tha se duhet të përcaktohet edhe ekzistimi i dëmit në mënyrë që të sqarohet se si ka ardhur deri te shuma e dëmit të pretenduar prej 4.5 milion euro, pasi siç tha, as MSH e as Ministria e Financave nuk janë deklaruar të dëmtuara nga ky proces.

Vokshi kërkoi gjithashtu të sqarohet se në cilën periudhë kohore ka qenë ministër i akuzuari Agani dhe të sqarohet nga prokuroria nëse ka palë të dëmtuara në ketë proces gjyqësor, e se kush konkretisht është palë e dëmtuar.

“Mbrojtja posedon komunikimet me e-mail me MSH-në në të cilat MSH sqaron se nuk ka paraqitur asnjë deklarim te avokatura shtetërore lidhur me dëmin. Neni 218, par 5. i KPP-së thotë se nëse maksimum 60 ditë nga ngritja e aktakuzës nuk ka deklaratë mbi dëmin konsiderohet se nuk ka palë të dëmtuara dhe si mund të përgjigjet z. Agani për keqpërdorim të detyrës hiç me pak se ka shkaktuar dëm 4.5 milion euro kur nuk kemi palë të dëmtuara”, e përfundoi fjalën e tij hyrëse avokati Vokshi.

Vet i akuzuari Agani tha se e mbështet fjalën hyrëse të avokatit të tij dhe tha se nuk ka çfarë të shtojë më shumë.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Shabani, avokati Skënder Musa tha se gjatë procesit të rigjykimit do të dëshmohet me prova materiale dhe duke zbatuar dispozitat materiale të ligjeve të veçanta sikurse, Ligjit i Buxhetit, Ligji i Prokurimit Publik dhe Rregullorja për shpenzimin e parave publike se aktakuza sa i përket Shabanit nuk ka bazë ligjore dhe është në kundërshtim me kompetencat e përshkruara në ligje të veçanta.

“PSRK në dispozitiv të aktakuzës pretendon se vepra penale është kryer me dashje dhe në bashkëkryerje, duke pas parasysh se me ketë rast ne si avokat mbrojtës konsiderojmë se prokurori i shtetit si hartues i aktakuzës, i cili në fakt nuk ka pas fare të drejtë me ngrit aktakuzë në bazë të Ligjit për Prokurorinë, nuk e ka pas të qartë organogramin e MSH-së dhe hierarkinë institucionale, sepse sekretari i përgjithshëm i ministrisë i raporton ministrit dhe në mënyrë obligative duhet të koordinohen për zbatimin e politikave qeveritare të cilat duhet të zbërthehen në detyra të punës.” – tha avokati Musa në fjalën e tij hyrëse.

Mos zbatimi i politikave të qeverisë nga ana e sekretarit paraqet, siç tha Musa, shkelje të rëndë të detyrave të punës dhe është shkak për shkarkim dhe konsiderohet keqpërdorim i detyrës zyrtare.

Sipas Musës, nëse ketë aktakuzë të pambështetur në ligj dhe të pa provuar, dashja si element subjektiv nuk lidhet me asnjë provë të vetme, sepse siç tha, nuk mjafton vetëm përshkrimi i dispozitës së dashjes, mirëpo, duhet lidhur me veprimin objektiv dhe me pasojën e shkaktuar e që në ketë rast, sipas tij, nuk ka veprim objektiv që ka shkuar në drejtim te kryerjes se veprës penale.

Sipas Musës, gjatë rigjykimit do të vërtetohet saktë se nuk kemi të bëjmë me shkelje të asnjë ligji, sepse të gjitha marrëveshjet janë nënshkruar me ligjin e buxhetit dhe udhëzimin administrativ për themelimin e bordit dhe urdhëresën administratave të Ministrisë së Financave.

Gjithashtu, avokati Musa tha se nuk ekziston as bashkëkryerja në këtë rast, pasi për të ekzistuar bashkëkryerja në kuptim subjektiv të akuzuarit, duhet të arrijnë marrëveshje, të bien dakord për të ndërmarrë veprime për të shkaktuar një pasojë e cila sanksionohet me ligj.

“Në rastin konkret do të dëshmojmë se mes të mbrojturit tim dhe të akuzuarit të parë, nuk është plotësuar elementi subjektiv i bashkëkryerjes. Ndërkaq sa i përket elementit objektiv, edhe tash është vërtetuar por edhe gjatë procesit gjyqësor do të dëshmojmë se në mënyrë absolute nuk plotësohet”, tha Musa.

Avokati propozoi gjithashtu që të ftohet një ekspert i ekonomisë i cili do të bëj interpretimin e ligjit për buxhet, përkatësisht nenit 3, paragrafi 3, dhe të ligjit të prokurimit i cili ka qenë në zbatim në kohën kur akuzohen Agani dhe Shabani.

Në fund të fjalës së tij, avokati Musa tha se me marrëveshjet me spitalet private nuk është dëmtuar buxheti i Kosovës por përkundrazi është kursyer. I njëjti tha se me këtë aktakuzë, është degraduar dhe persekutuar zyrtari me i pa korruptuar dhe pa asnjë afere siç tha ai, Gani Shabani.

Ndërsa prokurorja Salihu-Shamolli tha se qëndron prapa fjalës hyrëse që e kishte dhënë më 11 qershor 2018, gjatë gjykimit të parë.

Sa i përket dëshmitarëve, prokurorja tha se pajtohet qe të konsiderohen të lexuara dëshmitë e dhëna në gjykimin e kaluar.

Ndërsa, mbrojtja e Aganit propozoi që të ftohen sërish për të dëshmuar Milaim Aliu, udhëheqës i divizionit për buxhet dhe Bali Morina, udhëheqës i divizionit të pagesave në Qeverinë e Kosovës.  Pas një paqartësie që ekzistojë se në çfarë cilësie duhet të ftohen këta dy zyrtarë, avokati Vokshi ia la të vendos trupit gjykues se a do të ftohen si ekspert apo dëshmitarë.

Kurse vet i akuzuari Agani propozoi që të ftohen si dëshmitarë apo si të dëmtuar, edhe përfaqësues nga avokatura shtetërore, që të sqarojnë nëse kanë njohuri për dëmin e shkaktuar dhe a kanë kërkuar ndonjëherë sqarim nga MSH ose Fondi i Sigurimeve Shëndetësore se cili është dëmi i shkaktuar në këtë rast.

Ndërsa, avokati Musa propozoi që të ftohet si dëshmitar edhe Curr Gjocaj, ish-drejtor i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK). Një propozim të tillë, Musa e arsyetoi duke thënë se Gjocaj kishte qenë drejtor i shërbimeve shëndetësore në kuadër të MSH-së, përmes të cilit departament tha se kanë kaluar të gjithë pacientet që janë trajtuar jashtë institucioneve shëndetësore publike.

Këto propozime u aprovuan nga trupi gjykues, më përjashtim të propozimit të Aganit për të ftuar përfaqësues të avokaturës shtetërore, për të cilën, kryetari i trupit gjykues tha se nuk do të vendoset në këtë seancë porse do të shikojnë gjatë rrjedhës së gjykimit se si do të veprojnë.

Ndryshe, në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, Kujtim Krasniqi the se nga avokatura shtetërore, konkretisht nga  Nexhmije Karaqi kanë pranuar një parashtese në të cilën thuhet se avokatura shtetërore e mbështet fjalën e prokurores, i bashkëngjitët ndjekjes penal dhe se për kërkesën pasurore juridike kanë kërkuar që të udhëzohen në kontest civil.

Seanca e radhës për këtë rast, ku pritet të dëgjohen dëshmitarët propozuar, u caktua për 6 maj 2021, në ora 09:30.

Ndryshe, Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Më 26 shkurt 2018, ky rast ishte veçuar në tri pjesë, ashtu që të akuzuarit Agani dhe Shabani gjykohen veçmas, kurse mbi 40 mjekë të spitaleve publike akuzohen në rastin e njohur si “Stenta 2”, ndërsa pronarë e mjekë të spitaleve private akuzohen në rastin “Stenta 3”.

Ish-ministri Agani së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po akuzohen se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.

Sipas aktakuzës e cila ishte ndryshuar në fjalën përfundimtare të mbajtur më 18 prill 2019, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 22 prillit 2012 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Një gjë të tillë, sipas prokurorisë, i akuzuari Shabani në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm në MSH, kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi për sigurimin e shërbimeve shëndetësore që nuk ofroheshin në institucione publike.

Këto marrëveshje ai pretendohet se i kishte nënshkruar me spitalet private International Medicine Hospital (IMH) dhe Intermed EDA, pa e shpallur tenderin për sigurimin e këtyre shërbimeve.

Ndërsa, vazhdon aktakuza, i akuzuari Agani në cilësinë e Ministrit të Shëndetësisë, pretendohet se nuk kishte penguar nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve edhe pse kishin qenë në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik., mirëpo, i njëjti kishte ndikuar tek i akuzuari Shabani që të bëhej nënshkrimi i tyre dhe pas nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve kishin vazhduar keqpërdorimin e pozitës dhe autoritetit zyrtar duke i tejkaluar kompetencat e tyre, ku me dashje dhe dijeni nuk kishin marrë veprime të nevojshme për të furnizuar me materiale kardiologjinë invazive në QKUK, por përkundrazi, në bashkëpunim me Hocaoglun dhe Petrovskin, u kishin paguar spitaleve private IMH dhe Intermed EDA shumën prej 4,555,553.00 euro.

Më ketë, sipas aktakuzës, Agani dhe Shabani kishin kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar, me çka kishin dëmtuar buxhetin e Kosovës në shumë prej 4,555,553.00 euro.

Të dy të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt 2018.

Ndryshe, kur janë bërë afër pesë vite që nga ngritja e aktakuzës në këtë rast, epilogu gjyqësor i kësaj aktakuze nuk duket as afër.

Përderisa rasti “Stenta 1”, kishte marr njëherë epilog në shkallë të parë dhe tashmë është kthyer në rigjykim, dy rastet tjera, “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, ende mbesin në gjykim në shkallë të parë. Për rastin “Stenta 3”, është mbajtur vetëm një seancë e shqyrtimit gjyqësor, kurse në rastin “Stenta 2”, janë mbajtur disa seanca, porse çështja ende mbetet në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet. Pas ngritjes së aktakuzës, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë./BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi