Fabrika e Feronikelit dënohet me 20 mijë euro gjobë për ndotje të mjedisit

Fabrika e Feronikelit dënohet me 20 mijë euro gjobë për ndotje të mjedisit

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, në procedurë kundërvajtëse ka dënuar me gjobë në shumë prej 20 mijë euro, në cilësinë e subjektin juridik “NewCo Feronikeli Complex”, me seli në Qikatovë të Vjetër, Komuna Drenas.

Po ashtu , ka dënuar me 2 mijë euro gjobë, në cilësinë e personit përgjegjës të subjektit juridik, Iftach Ben Sllomo,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjobën e shqiptuar të pandehurit janë të detyruar të paguajnë në afatin prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në të kundërtën do të zbatohet përmbarimi i detyrueshëm.

Këto dënime gjykata i ka shqiptuar për vepër kundërvajtëse të kryer nga neni 38  paragrafi 1 nën paragrafi 1.3 të Ligjit për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, neni 33 të  Ligjit për Mbeturina dhe obligimet nga U.A, 08/2017, për Menaxhimin e Deponive, në bazë të neneve 55, 86,119 dhe 124 të Ligjit për Kundërvajtje.

Në aktgjykimin e nxjerrë nga gjykatësi Vesel Gorani, me 19 mars 2021, thuhet se e pandehura “NewCo Feronikel Complex” L.L, Drenas, dhe i pandehuri Iftach Ben Sllomo, nga Izraeli, janë përgjegjës, sepse me 19 shtator 2019, ekipi nga Inspektorati i Mjedisit dhe i Natyrës nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, Ismet Dervari dhe Vehbi Spahiu kanë ushtruar kontroll dhe mbikëqyrje inspektive, lidhur me aktivitetin e operatorit personit juridik “NewCo Feronikeli Complex”, në Qikatovë të Vjetër në Drenas, dhe operim në Deponin Skorje në Qikatovë.

Tutje thuhet se me rastit e kontrollit është konstatuar se operatori “Feronikeli” nga dokumentacioni posedon numër të regjistrimit të biznesit me aktivitete të ndryshme, Pëlqimin Mjedisor, nën kushtet e caktuara në vendimin me nr. 17/2347/1-380/DMM, 3 tetor 2017 për Deponin e Skorjes në Qikatovë – zona e “Dushkaja nr.1”, në Qikatovë e Vjetër, po ashtu, posedon dhe Lejen Mjedisore të integruar nr.2A, 5393-2/17, 20 shkurt 2018, për “Deponimin e Skorjes”, në hapësirat e minierës në Qikatovë të Vjetër, nen kushtet e caktuara.

Me rastin e kontrollës të lokacionit dhe objektit të Deponisë së Skorjes në Qikatovë është konstatuar se operatori i lartë cekur nuk është duke i përmbushur kushtet mjedisore nga dokumentacioni i lartë cekur, gjegjësisht nuk ka vendosur në tërësi shtresën e foljes nga PVC-ja dhe Gjeomembranen , mbi të cilën depozitohen mbeturinat e Skorjes dhe nga kjo mos përmbushje e obligimeve si pasoj e saj janë ndikimet në ndotjen e mjedisit dhe ujërave nëntokësore. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi