Shtyhet seanca gjyqësore ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Drenasit

Shtyhet seanca gjyqësore ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Drenasit

Në mungesë të mbrojtësit të akuzuarit Binaku, Halim Kuliqit, është shtyrë seanca e paraparë të mbahej të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj ish-zyrtarit të Administratës së Kuvendit Komunal në Drenas, Xhemë Binaku, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës zyrtare.

Binaku po akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008 -2012, kishte kërkuar dhe marrë para nga i dëmtuari Bardhyl Geci, në emër të qirasë së lokalit “F8”, i cili ndodhej në Qendrën Tregtare në Drenas dhe këto të holla nuk i kishte evidentuar dhe paguar Komunës së Drenasit.

Gjykatësja  e rastit Suzana Qerkini, mungesën e avokatit Kuliqi e ka arsyetuar pasi që i njëjti ka njoftuar gjykatën se është i caktuar në një seancë tjetër në Vushtrri.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 gusht 2019, i kishte liruar nga akuza, Xhemë Binakun me arsyetimin se nuk ishte provuar se i akuzuari  ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.

Seanca e radhës është caktuar më 8 prill 2021, në ora 9:30.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2014, i akuzuari Xhemë Binaku akuzohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari Xhemë Binaku, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar në Administratën e Kuvendit Komunal në Drenas, prej vitit 2008 e deri në vitin 2012, ka kërkuar dhe marrë para nga i dëmtuari Bardhyl Geci, në emër të qirasë së lokalit “F8”, në Qendrën Tregtare në Drenas.

Prokuroria pretendon se i akuzuari, për çdo muaj kishte marrë nga i dëmtuari shumën prej 300 eurove, ku gjithsej shuma ka arritur në 10.000 euro dhe se këto pagesa nga i dëmtuari Geci, i akuzuari Binaku nuk i kishte evidentuar dhe paguar komunës.

Me këto, veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autorizimit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi