Apeli sërish shqyrton ankesat e të akuzuarve për vrasjen e rojës së lokalit

Apeli sërish shqyrton ankesat e të akuzuarve për vrasjen e rojës së lokalit

Të premten, Gjykata e Apelit ka shqyrtuar ankesat e Prokurorisë dhe dy të akuzuarve Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, të cilët nga Gjykata Themelore ishin shpallur fajtorë për vrasjen e rojës në lokalin “Bon Vivant”.

Ata akuzohen se më 13 tetor të vitit 2014, në lokalin “Bon Vivant” në Prishtinë, kishin privuar nga jeta rojën e këtij lokali, të ndjerin Rrahman Uka, për çka Gjykata Themelore në Prishtinë i kishte shpallur fajtorë në janar të vitit 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky rast, në vitin 2019 ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte shpallur fajtorë Masar Gërdovcin ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim me burgim prej 21 vjet e 8 muaj burgim, ndërkaq Sherif Krasnii ishte liruar nga akuza për vrasje në bashkëkryerje, derisa ishte shpallur fajtorë për veprën penale pjesëmarrje në rrahje.

Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte bërë ricilësimin e veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje në vrasje në bashkëkryerje.

I akuzuari Gërdovci ishte dënuar me 18 vite burgim për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, ndërsa të njëjtit gjykata i ka shqiptuar edhe 1,500 euro gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, ishte dënuar edhe i akuzuari  Krasniqi, ndaj të cilit gjykata kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vitesh, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

E pakënaqur me cilësimin juridik dhe lartësinë e dënimit, brenda afatit ligjorë ankesë kishte ushtruar Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Përmes ankesës prokuroria pretendon se gjykata kishte bërë shkelje të ligjit penal pasi që sipas prokurorisë të akuzuarit është dashur të shpallen fajtorë për vrasje të rëndë.

Prokuroria ka ushtruar ankesë edhe mbi lartësinë e dënimit, me arsyetimin se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve është i ulët.

Prokuroria i ka propozuar Gjykatës së Apelit që aktgjykimin e ankimuar ta ndryshojë, ashtu që të akuzuarit t’i  shpallë fajtorë sipas aktakuzës apo rastin ta kthejë në rigjykim.

Ankesë mbi të gjitha bazat ankimore ka ushtruar edhe pala e dëmtuar, e përfaqësuar nga avokati Armend Berisha.

Mirëpo meqenëse përpos vendimit mbi dënim bazat tjera ankimore janë të palejueshme andaj gjykata konstatoi se nuk do të merr parasysh bazat tjera ankimore.

Pala e dëmtuar përmes ankesës ka kërkuar që dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve të ashpërsohet.

Dënimin e të akuzuarve e kërkoi edhe i dëmtuari Fitim Uka i cili gjatë kësaj seance deklaroi se kërkon nga gjykata drejtësi.

“Unë mbes në tërësi në ankesën e avokatit tim. Ju kur e keni marr punën jeni betu për drejtësi unë pres prej juve drejtësi e për borxhe tjera vendosi unë”, tha i dëmtuari Fitim Uka.

Prokuroria e Apelit përmes parashtresës ka propozuar që ankesa e prokurorisë të aprovohet si e bazuar dhe ato të mbrojtësve të të akuzuarve të refuzohen si të pabazuara.

Ankesë mbi të gjitha bazat ankimore ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Masar Gërdovci, avokati Naim Rudari.

Sipas Rudarit, gjykata ka tejkaluar akuzën, pasi që ka bërë një përshkim tjetër të gjendjes faktike dhe se vrasja nuk ka ndodhur nga i akuzuari Masar, por nga i akuzuari tjetër.

Sipas avokatit nuk është vërtetuar se i akuzuari Masar është kryerës i veprës penale. Mbrojtësi i referohet edhe provave në të cilat bazohet aktgjykimi i shkallës së parë, e që sipas tij disa nga to kanë qenë prova të papranueshme.

Ankesë mbi të gjitha bazat ankimore ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Sherif Krasniqi, avokati Haxhi Millaku.

Sipas kësaj ankesë, gjykata nuk ka arritur të vërtetojë se i mbrojturi i tij është kryerës i kësaj vepre penale, pasi që me asnjë provë nuk vërtetohet se i njëjti ka përdorur armën.

Mbrojtësi i të akuzuari Gërdovci gjatë seancës deklaroi se mbetet në tërësi pranë ankesës së ushtruar, ndërkaq deklaroi se kundërshton në tërësi ankesën e ushtruar nga prokuroria.

Sipas tij prokuroria ka dështuar të siguroi  kamerat nga vendi i ngjarjes, e po ashtu ka bërë asgjësimin e armës së vendit të ngjarjes, me çka ka pamundësuar kryerjen e ekspertimeve të nevojshme.

Sipas tij gjykata edhe herën e parë e edhe të dytën ka bërë tejkalimin e aktakuzës.

“Gjykata asnjëherë s’ka mundur të vërtetoj se kush e ka vrarë të ndjerin, ndoshta gjykata e ka marr një vendim sa për sy e faqe sa për t’a kënaqur palën e dëmtuar”,tha avokati.

Ai kërkoi që lënda të kthehet sërish në rigjykim dhe gjykata të administroi secilën provë veç e veç.

Ndërkaq mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Haxhi Millaku deklaroi se mbështet në tërësi ankesën e ushtruar.

Ai kundërshtoi në tërësi gjendjen faktike duke deklaruar se i mbrojturi i tij kishte shkuar për të pirë kafe, nuk kishte qenë i armatosur dhe nuk kishte dhënë asnjë lloj kontributi në zhvillimin e rastit.

Ai tha se i mbrojturi i tij vazhdimisht kishte tentuar të ndaloi kacafytjen duke deklaruar se “prokuroria ja ka huq” për sa i përket përshkrimit të gjendjes faktike.

Ndryshe Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar dënim me burgim ndaj Masar Gërdovcit dhe Sherif Krasniqit, të akuzuar se në bashkëkryerje kishin privuar nga jeta rojën e lokalit “Bon Vivant”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Suzana Çerkini, i akuzuari Gërdovci ishte dënuar me 18 vite burgim për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, ndërsa të njëjtit gjykata i kishte shqiptuar edhe 1,500 euro gjobë për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, raporton

Gjykata ndaj Gërdovcit kishte shqiptuar edhe dënim plotësues për konfiskimin e armës e cila dyshohet të jetë përdorur për kryerjen e veprës.

Për veprën penale të vrasjes në bashkëkryerje, të akuzuarit Krasniqi, gjykata i kishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 vitesh, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Lidhur me shpenzimet e procedurës penale, gjykata kishte obliguar të akuzuarit, secilin veç e veç që të paguajnë paushallin gjyqësor në shumë prej 400 euro.

Pala e dëmtuar ishte udhëzuar në kontest civil për realizimin e kërkesës pasurore-juridike.

Ky aktgjykim ishte marr pas kthimit në rigjykim nga Gjykata e Apelit.

Ndryshe, me aktgjykimin e Themelores, të datës më 22 janar 2019, Masar Gërdovci ishte dënuar me 21 vjet e 8 muaj burgim, pasi që ishte shpallur fajtor për vrasjen e lartpërmendur, kurse i akuzuari tjetër në këtë rast, Sherif Krasniqi, ishte dënuar me katër vjet e tre muaj, pasi ishte shpallur fajtor për pjesëmarrje në rrahje, pasi ndaj tij është bërë ricilësimi i veprës penale nga vrasje e rëndë në bashkëkryerje, në pjesëmarrje në rrahje.

Kurse, Krasniqi ishte liruar nga akuza për armëmbajtje pa leje, pasi thuhej se nuk është provuar se ai ka kryer një vepër të tillë penale.

Gërdovcit i ishte vazhduar edhe masa e paraburgimit, ndërsa të akuzuarit Sherif Krasniqi i ishte ndërprerë një masë e tillë.

Por, me aktgjykimin e gjykatës së shkallës së parë nuk ishin pajtuar palët në procedurë të cilat ushtruan ankesa në Gjykatën e Apelit.

Pas ankesave të ushtruara në Gjykatën e Apelit, nga Prokuroria pala e dëmtuar dhe dy të akuzuarit, Gjykata e Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Në aktvendimin e Apelit, të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë, përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të cilat kushtëzojnë anulimin e aktgjykimit,  ngase arsyet e dhëna në aktgjykim janë të paqarta dhe kundërthënëse në masë të konsiderueshme për faktet vendimtare ka kundërthënie të konsiderueshme ndërmjet asaj që paraqitet në arsyetimin e aktgjykimit lidhur me përmbajtjen e shkresave ose procesverbaleve për deklarimet e dhëna në procedurë.

Familja e të ndjerit përmes ankesës kishin kërkuar nga Apeli dënime maksimale për dy të akuzuarit.

Ndërsa, Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte kërkuar kthimin e rastit në rigjykim, me pretendimin se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka bërë ricilësimin e veprës penale, duke kërkuar që ky rast të kthehet në rigjykim.

Ndërkaq, mbrojtësi i të akuzuarit Sherif Krasninqi, avokati Haxhi Millaku kishte ushtruar ankesë mbi vendimin mbi dënim, me pretendimin se dënimi prej 4 vjet e 3 muaj ndaj të mbrojturit të tij, siç tha ai, e tejkalon maksimumin e dënimit të paraparë me Kodin Penal të Kosovës.

Sipas tij, gjykata e shkallës së parë i kishte shqiptuar dënim të mbrojturit të tij, aq kohë sa ai kishte qëndruar në paraburgim, e që sipas tij e tejkalon maksimumin e sanksionit penal të paraparë për veprën pjesëmarrje në rrahje.

Ndërsa, me pretendimin se i mbrojturi i tij nuk është kryerës i veprës penale, avokati Besnik Berisha kishte kërkuar kthimin e këtij rasti në rigjykim.

Kjo me arsyetimin se dispozitivi i aktgjykimit të atakuar është i mangët, i paqartë dhe i pakuptueshëm.

Sipas tij, gjykata nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare, e edhe në rastet kur i ka dhënë, sipas tij, ato janë shumë konfuze.

Ndërsa, lidhur me armën e përdorur në këtë rast, gjykata kishte marrë vendim që e njëjta të konfiskohet, ndonëse në seancën paraprake, gjykatësja Çerkini kishte deklaruar se, përmes raportit nga Drejtoria Rajonale e Policisë, ishte njoftuar se arma në fjalë është shkatërruar, pas konstatimit se ajo nuk ka pasur përputhshmëri me rastet e hapura në laboratorin e armëve të zjarrit.

Pas vendimit të Apelit të marr në tetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë në mars të citit 2020 kishte nisur rigjykimin e të akuzuarve Masar Gërdovci e Sherif Krasniqi.

Në seancën e parë pas rigjykimit i akuzuari Gërdovci kishte paraqitur kërkesë për përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, Suzana Çerkini dhe anëtares Shpresa Hasaj–Hyseni, por një kërkesë e tillë ishte vlerësuar si e pabazuar nga kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kjo ishte arsyetuar me faktin se pala e cila ka paraqitur kërkesën nuk e ka dëshmuar se me çfarë rrethana do të vihej në dyshim paanshmëria e gjykatëses.

E rigjykimi kishte vazhduar, ku më 7 korrik 2020, dy të akuzuarit ishin mbrojtur në heshtje.

Ndryshe, lidhur me këtë rast emisioni “Betimi për Drejtësi”, më 26 janar 2019, kishte transmetuar një hulumtim, në të cilin ishte trajtuar çështja e asgjësimit të armës me të cilën dyshohej se ishte kryer vepra penale ende pa u ngritur aktakuza.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 7 korrik 2015, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprën penale, vrasje të rëndë, dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas prokurorisë, më 13 tetor 2014, Masar Gërdovci dhe Sherif Krasniqi, kanë shkuar në lokalin “Bon Vivant”, i cili gjendet në rrugën “Rexhep Luci”, në Prishtinë.

Sipas aktakuzës, me të hyrë brenda në lokal, menaxheri i lokalit Ilir Misini, i pyet të pandehurit se a kishin rezervuar ku të njëjtit ishin përgjigjur “Ne asnjëherë nuk kemi bërë rezervim”, dhe kishin vazhduar të ulen në tarracë, në pjesën e pasme të lokalit.

Në aktakuzë thuhet se menaxheri i lokalit i kishte thënë tani të ndjerit Rrahman Uka, të merret me të pandehurit që t’i largoi nga lokali, i cili ishte ofruar tek tavolina ku ishin ulur ata, me qëllim për t’i larguar nga lokali pasi të njëjtit nuk kishin rezervim.

Sipas aktakuzës, sapo Uka largohet dhe hynë në sallën e lokalit, të pandehurit ngritën nga tavolina dhe shkojnë në drejtim të tij, ku fillojnë ta sulmojnë me grushte.

Gjithnjë sipas aktakuzës, me qëllim që ta privojnë nga jeta fillimisht Masar Gerdovci, e kishte nxjerrë revolen nga çanta e tij dhe kishte shtënë në drejtim të punëtorit të sigurimit Rrahman Uka, i cili ishte përulur në atë moment për t’i shmangur goditjeve. Sipas aktakuzës, Uka me tu ngritur në këmbë niset në drejtim të tashmë të pandehurve që në moment ishte duke shkuar në drejtim të daljes nga lokali, papritmas i pandehuri Sherif Krasniqi, me dashje që ta provoi nga jeta merr revolen nga Masar Gërdovci dhe shkrep dy herë në drejtim të tani të ndjerit me, ç’rast e plagos në regjionin e gjoksit dhe si pasojë e gjakderdhjes masive nga plagët e marra ndërron jetë në QKUK. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi