Dështon gjykimi për tentim vrasjen ndaj avokatit Gazmend Halilaj

Dështon gjykimi për tentim vrasjen ndaj avokatit Gazmend Halilaj

Të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet gjykimi që po zhvillohet ndaj Ibrahim Lushtakut, si dhe Xhelal Zeqirit për tentim vrasje ndaj avokatit Gazmend Halilaj.

Më 28 tetor 2020, Ibrahim Lushtaku si dhe i akuzuari Xhelal Zeqiri e kishin pranuar fajësinë vetëm për veprën penale të armëmbajtjes pa leje, derisa ishin deklaruar të pafajshëm për veprën penale të vrasjes së rëndë në tentativë.

Ibrahim Lushtaku nuk e kishte pranuar fajësinë as për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjatë kësaj seance prezent nuk kanë qenë i akuzuari Xhelal Zeqiri, si dhe avokati i tij Jeton Maqedonci, po ashtu as dëshmitarët Avni Gjinovci, Taulant Prenku, Afërdita dhe Ismet Qorri.

Për avokatin Jeton Maqedoni, kryetarja e trupit gjykues, Allten Murseli, ka bërë të ditur se i njëjti i ka dorëzuar një parashtresë me të cilën ka kërkuar që seanca të shtyhet për një datë tjetër sepse i njëjti nuk mund të marrë pjesë për arsye familjare.

Gjithashtu, për dëshmitarët u tha se të njëjtët kanë pranuar ftesën, mirëpo nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre.

Në këto rrethana, seanca është shtyrë dhe e njëjta pritet të mbahet me 1 qershor, me fillim nga ora 9:00.

Ndryshe, në këtë rast i akuzuari ka qenë edhe Ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili pasi ka pranuar fajësinë është shpallur fajtor për kanosjen e avokatit Gazmend Halilaj.

Për këtë vepër penale, gjyqtarja Alltën Murseli i ka shqiptuar Lushtakut dënimin me 2 mijë euro gjobë.

 Lushtaku dënimin prej 2 mijë euro gjobë mund ta paguajë me dy këste mujore në afat kohor prej 2 muajve.

I njejti, nëse nuk e paguan dënimin me gjobë, dënimi do t’i zëvendësohet me dënim me burg duke ju llogaritur 20 euro për çdo ditë burg.

Sami Lushtaku po akuzohej se pas një shkrimi të të dëmtuarit Gazmend Halilaj, në rrjetin social “Facebook”, të datës 11 prill 2020, në të cilin pretendohej se Sami Lushtaku qëndron prapa keqpërdorimit të 1.4 milion markave gjatë kohës së luftës, ky i fundit e kishte thirrur në telefon Halilajn dhe i ka kërkuar që t’i heqë ato shkrime duke e sharë fyer dhe me qëllim të frikësimit e kishte kërcënuar me fjalët “ku je se pa ardh me të kall nuk kam me lan”, me ç’rast tek i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Me këtë, Sami Lushtaku po akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosje” nga neni 181 par2 të Kodit Penal, raporton “Betimi për Drejtësi”.Për këtë vepër penale, dënimi i paraparë është me gjobë ose me burgim deri në një vit.Sipas aktakuzës, pasi që avokati Gazmend Halilaj kishte bërë një shkrim në rrjetin social “Facebook”, më 11 prill 2020, kundër Sami Lushtakut, kushëriri i këtij të fundit, Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes dhe në bashkëkryerje edhe me të akuzuarin Zeqiri, më 14 prill 2020, ia kishin zënë pritën Halilajt.

Me të parë Halilajn, vazhdon aktakuza, i akuzuari Ibrahim Lushtaku me dashje që ta privojë nga jeta e ka goditur fuqishëm veturën e të dëmtuarit Halilaj, ashtu që në këtë moment, Halilaj kishte dalë nga vetura dhe kishte filluar të ikë.

Sipas aktakuzës, edhe të akuzuarit Lushtaku dhe Zeqiri kishin dalë pastaj nga vetura dhe kishin shtënë me armë në drejtim të Halilajt por nuk kishin arritur ta godasin.

Me këto veprime, prokuroria i akuzon Ibrahim Lushtakun dhe Xhelal Zeqirin se kanë kryer veprën penale të vrasjes së rëndë të mbetur në tentativë.

Për shkak se i kishte shkaktuar dëme në lartësi prej 2,700 euro veturës së të dëmtuarit Halilaj, Ibrahim Lushtaku akuzohet nga prokuroria edhe për veprën penale të asgjësimit apo dëmtimit të pasurisë.

Po ashtu, Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri akuzohen edhe se në kundërshtim me ligjin për armët kanë mbajtur armë pa leje.

Lushtaku akuzohet se ka mbajtur pa leje një revole të tipit “Ekol”, kurse Zeqiri një armë të tipit “Cervena Zastava”.

Me këtë, të dy këta akuzohen për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

 


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi