Asambleistët e Prizrenit reagojnë ndaj vendimit `policor` të Haskukës

Asambleistët e Prizrenit reagojnë ndaj vendimit `policor` të Haskukës

Asambleistët kundërshtojnë mënyrën e ‘dhunshme alla millosheviqiane’ të largimit me përcjellje të policisë. 

Ne seancën e Kuvendit komunal të Prizrenit, asambleistët e partive opozitare reaguan kundër vendimit të njëanshëm të kryetarit, Mytaher Haskuka për lirimin e zyreve të partive në ndërtesën e komunës deri me 15 prill. 

Sipas asambleistëve, ky vendim para se të merret është dashur të rishqyrtohet me të gjithë kryetarët e partive politike. 

Në seancë, ata reaguan edhe për mënyrën e ‘dhunshme alla millosheviqiane’ të largimit me përcjellje të policisë. 

Më kritikuesi i vendimit ishte asambleisti Shukri Quni nga Nisma Socialdemokrate, i cili njisoj si kolegët e tij opozitarë, nuk po e sheh të arsyeshëm këtë vendim dhe të papranueshëm. Ai përmendi se partia e kryetarit në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk është ftuar për lirimin e zyreve. Ndër tjera, Quni ftoi kryetarin që të thirrë policinë nëse ka ndërgjegjje dhe nëse mendon se kjo është  mënyra për ta treguar pushtetin e tij. 

Në anën tjetër, kryetari Haskuka e arsyeton vendimin, i cili ishte marrë në vitin 2019, për lirimin e zyreve që ato të shfrytëzohen për aktivitete artistike dhe kulturore të qytetit. 

Ka disa ditë që asambleistët e kuvendit komunal të Prizrenit po ankohen për mënyrën e imponuar që partitë opozitare t’i lirojnë zyret.