Quni:Largimi nga zyrat lloj shantazhi që të pamundësohet aktiviteti politik
Në komunën e Prizrenit, sot ka nisur largimi i zyrave të partive politike që janë të vendosura në pronat e komunës.
Kryetari i degës së LDK-së në Prizren, Anton Quni u shpreh se nuk ndjehet mirë me mbylljen e zyrës, por se i respektojnë vendimet.
“Nuk ndjehem mirë as unë as të gjithë ata qytetarë që me vite e kanë frekuentua këtë zyre. Fakti që po mbyllet kjo zyre do të thotë që një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve, ndaj tyre po ushtrohet një lloj presioni apo shantazhi që tu pamundësohet aktiviteti partiak dhe politik. Por pavarësisht kësaj ne i respektojmë vendimet sepse e kemi kulturën shtetërore dhe institucionale”, u shpreh Quni.
Ai tha se qytetarët tash janë të bindur se çfarë do të thotë kur pushteti centralizohet.
Asamblisti i AAK-së në Prizren, Ilir Baldedaj ka thënë se këto zyre nuk janë pronë e komunës, por se kanë respektuar vendimin.
“Kjo nuk është pronë e komunës, por ne e kemi respektuar vendimin dhe e kemi liruar zyrën. Për procedurat tjera do të shihemi në gjykatë”, tha Baldedaj.























