Aliu jep detaje për 12 zyrtarët e arrestuar në komunën që ai e drejton
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka dalë në një konferencë për media, ku ka folur për arrestimin e 12 zyrtarëve të kësaj komune, të cilët dyshohen për “Keqpërdorim të detyrës zyrtare” dhe për “Ryshfet”.
Aliu ka thënë se tetë prej të arrestuarve janë zyrtarë të komunës që ai e drejton.
“Pa dyshim që përpjekja më serioze deri më tash, jo vetëm në rangun lokal, por edhe në nacional, është kjo që ka ndodhur në aksionin e sotshëm, ku tashmë në epilogun e këtij aksioni në koordinim të Komunës së Ferizaj dhe institucioneve të drejtësisë janë arrestuar 12 persona, prej tyre 8 zyrtarë të Komunës së Ferizaj, ku 5 janë rojtarë dhe 3 janë teknikë të pylltarisë”, tha Aliu.
Sipas tij, aksioni i sotëm ishte dëshmia më e mirë që Komuna e Ferizajt është e pakompromis ndaj cilitdo zyrtar ose abuzues.
“Kjo është dëshmia më e mirë se jemi të pakompromis dhe lufta jonë do të jetë e pakompromis ndaj cilitdo zyrtar ose abuzues tjetër që ka të bëjë me interesin publik, respektivisht me pasurinë e shtetit dhe në këtë rast Komunën e Ferizajt”, tha ai.























