Apeli shqyrton ankesat në rastin e vrasjes me thikë në kafenenë “n’Konak”
Gjykata e Apelit, të premten, ka shqyrtuar ankesat në rastin e vrasje me thikë që kishte ndodhur në kafenenë “n’Konak” në Ferizaj, natën e 15 qershorit të vitit 2018, ku ishte privuar nga jeta i ndjeri Elvedin Ibrahimi.
Për veprën penale të vrasjes po akuzohet Dardan Shabani, kurse Meriton Musliu dhe Albion Ahmeti po akuzohen për pjesëmarrjes në rrahje, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Për këto akuza, Gjykata Themelore në Ferizaj, më 1 shkurt 2021, kishte marr aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve, me të cilin Shabani ishte dënuar me 20 vite burgim, kurse Murseli dhe Ahmeti me nga 2 vite e 6 muaj burgim.
Tre të lartpërmendurit akuzoheshin edhe për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor, mirëpo pasi prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale për këtë vepër, gjykata kishte marrë aktgjykim refuzues.
Megjithatë, me dënimin e shqiptuar nga shkalla e parë nuk ishte pajtuar Prokuroria Themelore në Ferizaj, e cila përmes ankesës ka kërkuar nga Gjykata e Apelit të ashpërsoj dënimet e të akuzuarve, pasi që sipas saj, dënimi prej 25 vite burgim është shumë i ulët.
Ankesë kundër aktgjykimit të shkallës së parë, për sa i përket lartësisë së dënimit, kishte ushtruar edhe pala e dëmtuar, e cila kishte kërkuar ashpërsimin e dënimit.
Ndërkaq i dënuari për vrasje në këtë rast, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Skender Musa, po kërkon që aktgjykimi i shkallës së parë të ndryshohet dhe ai të shpallet i pafajshëm, apo rasti të kthehet në rivendosje.
Avokati Musa gjatë seancës së mbajtur të premten, deklaroi se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave ligjore.
“Në këtë proces gjyqësor është marr një aktgjykim me shkelje të shumta që e bën këtë aktgjykim të paqëndrueshëm”, tha ai.
Ai deklaroi se provat mbi të cilat bazohet aktgjykimi i themelores janë prova të papranueshme, pasi që sipas tij, Kodi parasheh që provat të merren nga prokurori dhe jo nga qytetarë, kurse në rastin konkret tha se dëshmitari siguron provat dhe i dorëzon prokurorisë.
Avokati Musa tha se disa nga provat nga vendi i ngjarjes janë të manipuluara, duke shtuar se ky rast është paragjykuar vazhdimisht nga trupi gjykues, pasi që të njëjtit kanë deklaruar vazhdimisht se vepra penale është kryer nga hakmarrja, e që sipas tij kjo ka bërë që gjyqtarët të paragjykojnë vendimin dhe të mos i sigurojnë të akuzuarve gjykim të drejtë.
“Na kemi ardh në përfundim logjik që në këtë rast ka pasur pjesëmarrje në rrahje me pasojë vdekjen dhe ka pasur elemente të mbrojtjes së nevojshme”, tha avokati.
Sa i përket shkeljes së ligjit penal, mbrojtësi i të akuzuarit tha se gjykata nuk ka arritur të vërtetoj dashjen e të mbrojturit të tij për kryerjen e kësaj vepre penale.
Ai tha se viktima ka kontribuar në këtë rast, pasi që në natën kritike ai i kishte dal përpara tani të akuzuarit të cilin e kishte plagosur disa muaj më parë, gjë që sipas avokatit kishte qenë një veprim i cili e kishte provokuar ndodhjen e kësaj ngjarjes.
“Bëhet fjalë për një person i cili e ka një histori bukur kriminale”, tha Musa, duke iu referuar tani viktimës.
“Dilema kryesore është momenti i thirrjes me thikë, pasi që i akuzuari për të hyrë në lokal ka kaluar tre sigurime me detektor për t’i kontrolluar se a kanë armë. Kjo dëshmon albinë se Dardani në natën kritike në restorant nuk ka pas thikë”, shtoi avokati Musa.
Sipas tij, aktgjykimi dhe ky proces gjyqësor nuk ka qenë i drejtë, duke i propozuar Gjykatës së Apelit rigjykim ose ndryshim të këtij aktgjykimi.
Ndërkaq, vet i akuzuari Shabani deklaroi se i është bërë padrejtësi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Mu mu ka bo shumë padrejtësi, më vjen keq për familjen e dëmtume që ka ndodh ky rast”, tha Shabani.
Ankesë ndaj aktgjykimit të shkallës së parë ka ushtruar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Meriton Murseli, avokati Fitim Shabani.
Gjatë kësaj seance, me autorizim, zëvendësues prezantoi avokati Shpëtim Sadiku, i cili deklaroi se mbetet në tërësi pranë ankesë së ushtruar.
“Mbrojtja mbetet në tërësi pranë ankesës së deponuar me shkrim, mbrojtësi i Meriton Murselit në ankesën e deponuar me shkrim, ne si mbrojtje i propozojmë që ankesën ta aprovoj si të bazuar” tha avokati Sadiku.
Ankesë mbi lartësinë e dënimit, për të akuzuarin Albion Ahmeti, ka ushtruar edhe avokatja Zenije Bega, pasi sipas saj nuk janë përcaktuar qartë rrethanat lehtësuese dhe rënduese, me propozimin që ndaj tij të shqiptohet dënim alternativ.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 11 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, Dardan Shabani akuzohet se më 15 qershor 2018, rreth orës 22:10, në kafenenë “n’Konak” në Ferizaj, me dashje direkte dhe me qëllim të hakmarrjes kishte privuar nga jeta tani të ndjerin Elvedin Ibrahimi, për shkak të një mosmarrëveshje të para një viti, ku tani i ndjeri e kishte goditur me thikë, me çka i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari Shabani, së bashku me të akuzuarit Meriton Murseli dhe Albion Ahmeti, kishin shkuar në kafene ku tani i ndjeri kishte punuar si sigurim fizik, me ç’rast kishte nxjerrë një thikë me të cilën në mënyrë tinëzare e kishte goditur në pjesën e gjoksit, duke depërtuar deri në zemër, kurse të pandehurit Murseli dhe Ahmeti e kishin goditur me karrige dhe shishe të birrës, me ç’rast, i ndjeri ishte rrëzuar dhe i pandehuri Shabani e kishte goditur edhe tetë herë të tjera me thikë në pjesën e shpinës dhe një herë në pjesën e qafës, nga të cilat goditje i ndjeri pëson lëndime të rënda trupore dhe gjakderdhje të brendshme dhe të jashtme, si pasojë e të cilave kishte ndërruar jetë.
Për këtë, i pandehuri Shabani akuzohet për kryerjen e veprës penale “vrasja e rëndë”, nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafi 1.8 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas aktit akuzues, me datë dhe vend të njëjtë, ai i kishte shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarit Elmedin Sherifi, në atë mënyrë që pasi i dëmtuari kishte ndërhyrë për t’i ndarë të pandehurin dhe të ndjerin, Shabani e kishte goditur me thikë në parakrahun e dorës së djathtë, i cili kishte tejshpuar parakrahun.
Për këtë, ai akuzohet për kryerjen e veprës penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1, nën paragrafi 1.4 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Tutje thuhet se me datë dhe vend të njëjtë, të pandehurit Murseli dhe Ahmeti po akuzohen se edhe pse kishin qenë të paprovokuar, kishin marrë pjesë në rrahje ku kishte mbetur i vdekur i ndjeri Elvedin Ibrahimi, në atë mënyrë që atë dhe pjesëmarrësit e tjerë që kishin tentuar t’i ndajnë, i kishin goditur me shishe të birrës.
Për këtë, secili veç e veç po akuzohet për kryerjen e veprës penale “pjesëmarrja në rrahje”, nga neni 190, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjithnjë sipas aktakuzës, me datë dhe kohë të njëjtë, të pandehurit Musliu dhe Ahmeti po akuzohen se i kishin shkaktuar lëndime të lehta trupore të dëmtuarve Ibrahim Emini dhe Elmedin Sherifi, të cilët kishin tentuar që t’i ndanin të pandehurit dhe tani të ndjerin, ku që të dy të akuzuarit i kishin goditur të dëmtuarit me karrige dhe shishe të qelqit, nga të cilat goditje të dy të dëmtuarit kishin pësuar lëndime të lehta trupore.
Për këtë, ata po akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi























