Pjetër Shala thotë se i ka kuptuar akuzat por se i duken qesharake

Pjetër Shala thotë se i ka kuptuar akuzat por se i duken qesharake

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Pjetër Shala, gjatë paraqitjes së tij të parë në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, ka thënë se akuzat që janë ngritur ndaj tij i duken qesharake.

Pas leximit të akuzave nga sekretarja e gjykatës, gjykatësi Nicolas Guillou e ka pyetur Shalën nëse i ka kuptuar ato, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Ju kujtoj se nuk është momenti për t’i kundërshtuar akuzat, por thjeshtë për të konfirmuar se i kuptoni akuzat, do të keni mundësi të bollshme për të kundërshtuar akuzat me ndihmën e avokatit mbrojtës. A i kuptuat akuzat në aktakuzë?”, e ka pyetur gjykatësi Shalën.

“Po i nderuar i kuptova, qesharake më duken.”, është deklaruar i akuzuari.

Pjetër Shala u arrestua më 16 mars 2021 nga autoritetet belge dhe u transferua në Hagë më 15 prill 2021, në bazë të një kërkese për bashkëpunim në zbatimin e fletëarrestit dhe urdhrit për transferim lëshuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në aktakuzën e konfirmuar, Shala ngarkohet me përgjegjësi penale individuale në forma të ndryshme për krime lufte si ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme, të kryera në kontekstin e konfliktit të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në lidhje me këtë konflikt.

“Krimet për të cilat akuzohet z. Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në komunikatë.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi