Mjeku i akuzuar në rastin “Stenta 2” e kishte rekomanduar në spital privat

Mjeku i akuzuar në rastin “Stenta 2” e kishte rekomanduar në spital privat

Të martën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj dy të akuzuarve në rastin “Stenta 2”, Ferihane Sefa dhe Ferid Susuri, është dëgjuar dëshmitari Exhevit Mezini.

Dëshmitari Mezini, duke u përgjigjur në pyetjet e kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Shadije Gërguri, ka deklaruar se e kishte pasur babain e sëmurë nga zemra, të cilin e kishte dërguar në spitalin e Prizrenit në emergjencë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Unë personalisht e kam dërguar në emergjencë në Prizren, sepse ka pasur probleme me zemër. Mjekët e spitalit e kanë bërë kontrollën e parë dhe kanë konstatuar se ka probleme me zemër”, ka thënë dëshmitari.

Pasi të njëjtit nuk i është kujtuar deklarata që kishte dhënë në prokurori me 17 tetor 2014, gjykatësja Gërguri ia rikujtoj këtë deklaratë, në të cilën kishte thënë se me 3 korrik 2013, kur e kishte dërguar babin e tij në emergjencë në Prizren, e kishin rekomanduar që ta dërgoj në spitalin privat “Eda”.

Ai në këtë deklaratë kishte thënë se mjeku që e kishte rekomanduar në këtë spital privat kishte qenë i akuzuari Agim Susuri dhe se pas rekomandimit të tij, babain e dëshmitarit e kishin dërguar në spitalin “Eda”, të cilët kishin ardhur me veturën e ndihmës së shpejtë dhe e kishin dërguar në spital.

“Veç mbiemrin e kam dëgjuar Susuri, por emrin nuk kam qenë i sigurte që ka qenë Agim”, ka thënë dëshmitari.

Pasi ishte pranuar në spitalin “Eda”, dëshmitari tha se babait të tij i kishin vendosur dy stenta, në vlerë 6,500 euro.

Ai tha se nuk kishte aplikuar në Ministrinë e Shëndetësisë (MSh) për kompensim të këtyre mjeteve, pasi nuk kishte pasur informacione që kishte të drejtë rimbursimi.

Gjykatësja Gërguri vazhdoi t’ia rikujtoj dëshmitarit deklaratën e dhënë në prokurori, ku kishte deklaruar se e konsideron veten palë të dëmtuar nga spitali i Prizrenit, pasi ata nuk e kishin dërguar në QKUK, por në një spital privat dhe nuk i kishin treguar se shpenzimet mund t’i kompensohen nga MSh-ja.

“Nuk i di rregullat, por ashtu mendoj dhe qëndroj pranë asaj deklarate”, ka thënë dëshmitari Mezini.

Mbrojtësi i të akuzuarit Susuri, avokati Hazër Susuri, e pyeti dëshmitarin në lidhje me deklaratën e dhënë në prokurori ku kishte deklaruar se emri i mjekut që e kishte rekomanduar në spital privat kishte qenë Agim Susuri dhe në gjykatë me 7 korrik 2019, në të cilën po ashtu kishte përmendur emrin e të akuzuarit.

“Gabimisht e kam përmendur se nuk e kam njohur, pasi kam pasur edhe stres gjatë asaj periudhe”, ka thënë dëshmitari, i cili kur është ballafaquar me të dyja deklaratat ka pohuar se nënshkrimi në të dyja ato ishte i tij.

I pyetur nga gjykatësja Gërguri, se a ishte e vërtetë se mbiemri i të akuzuarit Susuri i kujtohej ndërsa emri jo, dëshmitari ka deklaruar se mbiemrin Susuri e kishte dëgjuar nga mjekët tjerë.

Ndryshe në këtë seancë, prokurorja speciale Florije Shamolli ka bërë administrimin e provave, të cilat i kishte listuar në një listë.

Përpos provave të paraqitura në aktakuzë, prokurorja ka propozuar edhe listën e emrave, e mjeteve që ishte bërë pagesa për referim nga spitali “IMH” e cila listë gjendet në raportin e Arian Ibrahimit e që ka të bëjë me dy të akuzuarit Sefa dhe Susuri, si dhe listën e emrave të mjeteve të cilat është paguar në emër të referimit të pacientëve nga spitali “IMH”.

Por, këto prova i ka kundërshtuar mbrojtësja e të akuzuarës Sefa, avokatja Kosovare Kelmendi, e cila ka thënë se të gjitha provat materiale të propozuara nga ana e prokurorisë, asnjëra prej tyre nuk ka të bëjë me të mbrojturën e saj.

Ndërsa në lidhje me pjesën e përgjimeve, avokatja Kelmendi tha se e mbrojtura e saj asnjëherë nuk kishte qenë subjekt i këtyre përgjimeve.

“E vetmja provë e cila zgjoi kureshtjen tonë të cilën nuk e posedojmë, është lista të cilën në fund të deklarimit iu referua prokurorja e përfshirë në një raport të Arian Ibrahimit dhe konsideroj se duhet të jetë e vetmja provë materiale me të cilën duhet të ballafaqohen të akuzuarit, për shkak të përshkrimit të gjendjes faktike në dispozitiv të aktakuzës, prandaj unë kundërshtoj administrimin e të gjitha atyre provave të cilat prokurorja i radhiti sot, sepse nuk kanë të bëjnë me të mbrojturën time”, ka thënë avokatja Kelmendi.

Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Susuri, avokati Hazër Susuri ka kundërshtuar provat e prokurorisë, pasi sipas tij, pjesa më e madhe e provave nuk kanë të bëjnë me të mbrojturin e tij dhe se prova e vetme e cila e lidh të akuzuarin Susurin me pretendimet e aktakuzës, ishte lista e mjekeve të cilat pretendohet se ishin në shënimin e pagesave nga “IMH”.

Ndryshe, gjykatësja Gerguri ka njoftuar se dëgjimi i dëshmitarit bashkëpunues L.B, do të jetë i mbyllur për publikun dhe mediat, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, në rastin “Stenta 2” kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Ferid Susuri, Murat Abazi, Ferihane Sefa, Masar Gashin, Nexhmi Zeqirin dhe Elfedin Muhaxheri.

Gjykata Themelore e Prishtinës, më 31 mars 2021, ka bërë bashkimin e procedurës penale ndaj të akuzuarit Murat Abazi dhe Masat Gashi.

Kurse, për të akuzuarin S.Gj. ka pushuar procedura penale, pasi i njëjti ka ndërruar jetë.

Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 40 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galina Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti, Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë t’ua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2” se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjike në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marrë ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale, hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik. Mirëpo, për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi