Murtezaj: Numri i inspektorëve në komunën e Pejës nuk është i kënaqshëm
Drejtori i inspektoratit në komunën e Pejës, Leotrim Murtezaj, në një intervistë për Gazetën lokale të Pejës “ZARFI INFO”, ka deklaruar se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë shkaktuar, siç thotë ai, kaos të madh në çdo sektor.
Madje sipas tij, dikasterin të cilin e udhëheq tash e disa vite po kalon nëpër probleme serioze, kur bëhet fjalë luftimi dhe parandalimi i pandemisë Covid-19.
“S’ka dyshim se zgjedhjet e fundit në Kosovë kanë shkaktuar kaos të madh pothuajse në çdo sektor, madje, në këtë drejtim nuk kemi mbetur pa u dëmtuar edhe ne si institucione komunale, por edhe përkundër sfidave dhe vështirësive neve kemi punuar me të gjitha kapacitetet tona”, kujton i pari i inspektoratit në Pejë.
“Niveli qendror ka angazhuar inspektor sanitar në kuadër të AUVK-ut pikërisht për zbatimin e ligjit anti-covid dhe ne si komunar po e kemi të vështirë të inkuadrohemi drejtë për së drejti në këtë drejtim”, tha mes tjerash drejtori Murtezaj.
Murtezaj, gjithashtu ka bërë të ditur se numri i inspektorëve në komunën e Pejës nuk është i kënaqshëm, sepse siç tha ai, një numër i inspektorëve janë në moshë të shtyrë dhe për këtë problem nuk kanë gjetur përkrahje nga niveli qendror.
“Numri i inspektorëve në komunën e Pejës nuk është i kënaqshëm. Madje, një numër i konsiderueshëm i inspektorëve janë në moshë të shtyrë dhe përformancat e tyre nuk janë të formës dhe nivelit të duhur.
Numrin e inspektorëve kemi provuar disa herë me rritë por nuk kemi hasur në përkrahje të nivelit qendror, ashtu sikur që nuk kemi hasur në përkrahje që inspektoriatet komunale të përfshihen në pakot emergjente për shkak të pandemisë ashtu sikur që janë përfshirë institucionet tjera”, tha drejtori i Murtezaj, teksa shton se është për të ardhur keq se inspektorëve komunal në Kosovë nuk ju paguhet as rrezikshmëria e punës “Thjeshtë e rrezikojnë vetën e tyre për t’a çuar shtetin përpara”.
“Pandemia na ka dhënë leksion të mirë. Na duhet mobilizim për t’a mbajtur nën kontroll këtë sektor të rëndësishëm”, tha drejtori i inspektoratit komunal në Pejë, Leotrim Murtezaj, duke falënderuar kështu organet e rendit për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm për zbatimin e ligjit.























