Anulohet seanca në rastin e të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Anulohet seanca në rastin e të akuzuarit për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Është anuluar seanca e paraparë të mbahet të enjten, në Gjykatën Themelore në Ferizaj, për rastin ku Naser Pajazitaj akuzohet për vrasjen e Donjeta Pajazitajt.

Zëdhënësja e gjykatës së lartpërmendur, Albënora Bekteshi-Hoti, për “Betimi për Drejtësi”, ka bërë të ditur se ende nuk është caktuar eksperti i Telekomit të Kosovës, i paraparë të dëgjohej në këtë seancë, për çka ishte marrë vendim në seancën e 31 marsit.

Kështu, ajo tha se seanca është shtyrë në kohë të pacaktuar, për të cilin vendim palët janë njoftuar me kohë.

Sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, Naser Pajazitaj akuzohej se me 9 nëntor 2015 rreth orës 14:30 në bjeshkët e Strellcit të Komunës së Deçanit, pikërisht në vendin e quajtur “Kroni i Lajthisë”, me armë, në mënyrë mizore ka privuar nga jeta të ndjerën Donjeta Pajazitaj. Aty thuhet se derisa e ndjera ka qenë duke shkuar në punë në këmbë me axhën e saj, me të cilin kur kanë mbërritur të bunari i fshatit janë ndarë, ashtu që viktima ka vazhduar rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet përafërsisht 150 metra afër shtëpisë së Nedi Jusaj, aty kalon i pandehuri me veturën e tij, e merr të njëjtën, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit. Tutje, thuhet se kur arrin te “Kroni i Lajthisë”, fillimisht e privon nga jeta duke shtënë dy herë në kokë të saj, e më pas për të humbur gjurmët të njëjtën e mbulon me disa drunjë dhe largohet nga vendi i ngjarjes. Sipas aktit akuzues, viktima gjendet pa shenja jete pas më shumë se një muaji, përkatësisht më 27 dhjetor 2015, nga disa kalimtarë të rastit.

Me këtë, Pajazitaj akuzohet se ka kryer veprën penale të “vrasjes së rëndë” nga neni 179, paragrafi 1, pika 1.4 dhe 1.12 të KPRK-së.

Tutje sipas aktakuzës, më parë e gjerë më 9 nëntor 2015, në fshatin Strellc të Komunës së Deçanit, i akuzuari pa autorizim ka poseduar armën dhe atë një revole të tipit të panjohur dhe një pushkë gjuetie, si dhe 12 fishekë të kësaj pushke, në atë mënyrë që me revole ditën kritike ka kryer veprën penale të cekur si më lartë.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, më parë dhe gjerë më 23 maj 2017, në fshatin Strellc i Ulët të Komunës së Deçanit, pa autorizim ka poseduar armën “AK-47” dhe 2 karikatorë të zbrazet, të cilën policia gjatë bastisjes dhe kontrollit në shtëpinë e të pandehurit, në dhomën e fjetjes gjejnë dhe e sekuestrojnë.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 i KPRK–së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi