Shtyhet gjykimi ndaj ish-policit që akuzohet se kishte shtënë në ish-gruan

Shtyhet gjykimi ndaj ish-policit që akuzohet se kishte shtënë në ish-gruan

Mungesa e prokurores Javorka Prlinqeviq, u bë shkak që të shtyhet seanca e rigjykimit në rastin e të akuzuarit për vrasje të rëndë në tentativë, Artim Gashi.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Naser Foniqi ka bërë të ditur se prokurorja Prlinqeviq është ftuar në mënyrë të rregullt, por nuk është paraqitur në seancën e së premtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prezent në seancë nuk ishte as i akuzuari Gashi, për të cilin gjykatësi Foniqi tha se gjykata nuk ka dërguar urdhër për sjellje.

Mirëpo, kur i njëjti kontaktoi me Njësinë e Transportit, konkretisht zyrtarin Bujar Zeqirin, këta të fundit e njoftuan se janë në gjendje që brenda 30 minutash ta sillnin të akuzuarin së gjykatë.

Megjithatë, në mungesë të prokurores, gjykatësi nuk lëshoi urdhrin për sjellje.

Prezent në sallë të gjykimit ishin mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Mentor Neziri, përkthyesja e gjykatës, Blerta Bekteshi, babai i të dëmtuarës B.C., si dhe ekspertët e Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Dr. Bujar Obërtinca, Dr. Valbona Blakaj-Ramadani dhe psikologia klinike Arife Veseli.

Në mungesë të kushteve ligjore për mbajtjen e seancës, e njëjta u shty për 11 maj 2021, në ora 13:10.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, në shtator 2018, e kishte dënuar me 15 vjet burgim ish-policin Artim Gashi, për veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Mirëpo, e pakënaqur me lartësinë e dënimit ka mbetur prokuroria, e cila kundër këtij aktgjykimi kishte ushtruar ankesë në Apel, duke kërkuar nga kjo e fundit që ndaj të akuzuarit të shqiptohet një dënim më i lartë me burgim.

Lidhur me këtë çështje, Gjykata e Apelit, më 17 dhjetor 2020, e ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe çështjen e ka kthyer në rigjykim, me sugjerimin që të caktohet një super ekspertizë, ku së paku njëri prej ekspertëve të jetë profesor universitar i lëmisë përkatëse. Sipas Apelit, pasi të merret ekspertiza, e njëjta të vlerësohet dhe të vendoset sipas ligjit.

Sipas aktakuzës së plotësuar më 23 mars 2021, Artim Gashi po akuzohet se më 4 shkurt 2017, rreth orës 09:30, në rrugën “Xhavit Ahmeti”, në Prishtinë, pas një përgatitje paraprake e kishte përcjellë nga shtëpia të dëmtuarën B.C, e cila ishte nisur për provim në fakultet, e kishte ndaluar dhe ishte munduar që me dhunë ta fuste në veturë.

Mirëpo, sipas aktakuzës, pasi e dëmtuara kishte refuzuar, ai me qëllim që ta privojë nga jeta, me armën zyrtare, të llojit “Glock”, e kishte goditur me një plumb në kokë, saktësisht në syrin e majtë, goditje kjo nga e cila të dëmtuarës ia kishte këputur indet e syrit të majtë, ndërsa plumbi kishte depërtuar në tru duke ia shqyer cipën trunore, me ç‘ rast të dëmtuarës i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore të rrezikshme për jetë me pasoja të përhershme për shëndetin. Aty thuhet se i pandehuri ishte larguar nga vendi i ngjarjes.

Me këtë, prokuroria e ngarkon të akuzuarin Gashin me veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë” nga neni 173 paragrafi 1, pika 1.3 dhe 1.8. lidhur me nenin 28 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi