Mbrojtja e Gucatit: Në bazë të informacionit materiali ka dalur nga ZPS-ja

Mbrojtja e Gucatit: Në bazë të informacionit materiali ka dalur nga ZPS-ja

Mbrojtësi i Gucatit gjatë konferencës së sotme ka thënë se sipas informacioneve që ata kanë materiali ka rrjedhur nga stafi i ZPS-së, apo persona të tjerë që janë të lidhur me ZPS-në. E që për publikimin e këtij materiali akuzohen Guaci dhe Haradinaj, përkatësisht për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Me informacionin që kemi tregohet se materiali ka rrjedhur nga stafi i ZPS-së apo persona të tjerë që janë të lidhur me ZPS-në. Sa i takon pyetjes tuaj për ngritjen e kundërshtimeve për materialin provues ne kemi thënë edhe më përpara dhe do ta theksojmë edhe njëherë se duam të ngrejmë kundërshtimet e identifikuara në dokumente deri me 14 qershor”, ka thënë Rees, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Jonathan Elystan Rees, avokat i Hysni Gucati ka folur për vështirësitë që mbrojta e të akuzuarve po hasin në lidhje me materialet.

Ai ka thënë se kanë marrë rregullën 102 (3) që përfshin në të 148 dokumente dhe sipas tij, është në kundërshtim me njoftim paraprak që ka dhënë ZPS pasi sipas Rees, rezulton se nuk e kishin këtë informacion të saktë dhe u identifikuan disa dokumente tjera që nuk ishin përfshirë në dokumentacionin fillestar të ZPS, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sa i takon çështjes së nxjerrjes së materialeve nëse palët po hasin me vështirësi të tjera të mëtejshme, ju do të vlerësonit besoj se në kohën kur kam hartuar përgjigjen për urdhrin e përcaktimit për datën e konferencës, ne kemi marrë rregullën 102 (3) që përfshin në të 148 dokumente dhe siç e kemi thënë më përpara është në kundërshtim me njoftim paraprak që ka dhënë ZPS që përfshin vetëm 13 dokumente dhe për të cilin ZPS institoi që ky ishte informacioni që kishin në dispozicion dhe nuk kishin nxjerrë, rezulton se nuk e kishin këtë informacion të saktë dhe u identifikuar disa dokumente tjera që nuk ishin përfshirë në dokumentacionin fillestar të ZPS”, ka thënë avokati Rees.

Ai tutje ka shtuar se gjatë përgjigjes së tyre kanë ngritur çështje në lidhje me mangësitë që i kanë vërtetuar në lidhje me nxjerrjen e materialeve.

“Bërja e kërkesës për materiale ka qenë pjesë e përgjigjes tone dhe kemi ngritur mangësi që kemi identifikuar në njoftim duke ofruar detaje të mëtejshme. Në kuadër të komenteve tuaja në vendimin për rregullën 102 (3) ne kemi shtuar nevojën për më tepër detaje për këtë kërkesë në mënyrë që ZPS të jepte përgjigjen përkatëse. Në momentin e hartimit, ne sot e kësaj dite nuk kemi marrë përgjigje për këto kërkesa, e as njoftim nga ZPS që kanë marrë kërkesën tonë”, ka thënë avokati i Gucatit.

Ai ka shtuar se gjatë ditës së djeshme kanë marrë edhe 153 dokumente të tjera, e që sipas tij gjatë tri konferencave të fundit ishte thënë se nxjerrja e informatave ishte e plotë.

“Është e drejtë të thuhet se ne kemi marrë më 29 prill, domethënë vetëm dje, nxjerrje të tjera të materialeve dhe bëhet fjalë specifikisht për 153 dokumente të tjera. Kjo ndodh në rrethana të tilla kur në mënyrë të përsëritur gjatë tre konferencave të tjera, ju i nderuar gjykatës keni siguruar që nxjerrja e informacionit ishte e plotë dhe ZPS kishte plotësuar detyrimet e tyre për t’ia vënë nxjerrjet në dispozicion palëve dhe pavarësisht kësaj neve na ofrohen 153 dokumente të nxjerra të ZPS-së, besoj që kemi mirëbesimin tuaj se ne mbetemi skeptik sa u takon rrethanave ndërkohë që neve ZPS na thotë në vazhdimësi që nxjerrja e informacioneve është i plotë. Për aq kohë që ZPS sërish ngriti çështjen e nxitjes, siç bën zakonisht, duket se protesta është e tepër nga ZPS, ne do të hetojmë më tutje çështjen e nxitjes dhe vënien në kurth, ne do të japim përgjigjen tona dhe do të kërkojmë që ZPS të mbështetet në njoftimin e parashikuar në rregullën 102 (3)”, ka thënë ai tutje.

Mbrojtësi i Nasim Haradinaj, avokati Toby Cadman ka thënë se lidhur me deklarimet për akuzat e ngritur ndaj ZPS-së rrjedhin nga qasja e saj, që sipas tij, ZPS-së asnjëherë nuk e ka marrë seriozisht hetimin e nxjerrjes së informacioneve.

“Sa i takon çështjes së ZPS-ja ka deklaruar në vijëmsi lidhur me nxitjen apo akuza të tjera që janë ngritur kundër ZPS-së dhe është shprehur në vijëmsi për të dhe pohimi i tyre që nuk ekzistojnë prova që janë nxjerrë, ne kemi deklaruar shpesh se arsyeja pse këto të dhëna janë në ZPS, e gjithë origjina e kësaj çështje rrjedh nga pozicioni i ZPS-së që asnjëherë nuk e ka marrë seriozisht hetimin e nxjerrjes së informacionet dhe është e rëndësishme të nxjerrët informacioni për palët dhe nëse s’janë bërë hetime është e rëndësishme të dimë pse nuk janë bërë hetime.  ZPS vazhdon të akuzojë klientët tanë, me fjalë të tjera do të duhet të dëgjojmë sa i takon hetimeve që ka bërë ZPS sa i takon rrjedhjes së informacionit prej saj dhe është çështje që mbrojtja do ta ndjek në vijëmsi. Ka dokumente që ZPS ka nxjerrë dokumente një ditë para konferencës dhe duhet të ushtrojmë afatin prej 10 ditësh për të bërë përgjigjen tona”, ka thënë Toby Cadman – avokati i Haradinajt.

Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar prokuror i ZPS-së i cili ka thënë se hetimet e tyre kanë vërtetuar se akuzat të ngritura kundër të akuzuarve janë të përligjura dhe ka prova për të provuar fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm.

“E di që e kam thënë më përpara, më lejoni të them se hetimet tona kanë vërtetuar se akuzat të ngritura kundër të akuzuarit janë të përligjura dhe ka prova për të provuar fajësinë përtej dyshimit të arsyeshëm. Aktakuza është e konfirmuar se thuajse faza e paragjykimit ka filluar. Mbrojtja nuk djuhet të vendos cka do të hetojë ZPS e as dëshmitarët që do të thërrasim a cfarë prova të paraqesim në gjyq, është përgjegjësia jonë. Në fund do t’i takoj trupit gjykues nëse informacioni për të deklaruar fajtor të akuzuarit është i mjaftueshëm ose jo”, ka thënë prokurori i ZPS-së.

Hysni Gucati, së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale. Z. Gucati dhe z. Haradinaj bënë akuza dhe komente nënçmuese kundër dëshmitarëve (të mundshëm) dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara. Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së.”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.

“Në bazë të Ligjit, Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë juridiksion që të gjykojnë individë për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë kur këto vepra penale kanë të bëjnë me procedurat zyrtare dhe zyrtarë të Dhomave të Specializuara.”, thuhej tutje në njoftim.


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi