Peci: Brengosëse shtyrja e gjykimeve për shkak të mungesës së gjykatësi

Peci: Brengosëse shtyrja e gjykimeve për shkak të mungesës së gjykatësi

Në konferencën virtuale të mbajtur të premten, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), është prezantuar raporti nga monitorimi vjetor i trajtimit të rasteve të korrupsionit në sistemin e drejtësisë në Kosovë, i titulluar “Luftimi i korrupsionit me dënime me kusht dhe gjobë”.

Nga të gjeturat e këtij raporti, Kryetari i Gjykatës Supreme, Enver Peci, ka thënë se është brengosëse shtyrja e gjykimeve për shkak të mungesë së gjykatësve apo prokurorëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me dënimet me kusht, Peci ka thënë se në rast të shqiptimit të tyre, të njëjtat duhet të arsyetohen shumë mirë.

“Unë jam kritikuesi më i madh i politikës ndëshkimore, dhe mua si kryetari i Supremes më ndihmon jashtëzakonisht shumë raporti juaj. Nuk e di se si gjyqtarët munden me i arsyetu dënimet me kusht te këta kryes të këtyre veprave penale. Jemi në përgatitje të një udhëzuesi të veçantë për raste të korrupsionit. Nëse jepen dënime me kusht, duhet me u arsyetu shumë mirë”, deklaroi Peci.

Ndër të tjera, Peci ka thënë se gjetjet dhe rekomandimet e bëra nga Instituti i Kosovës për Drejtësi duhet të merren seriozisht, në kuptimin e funksionimit sa më të mirë të sistemit të drejtësisë.

“Duhet t’i marrim seriozisht gjetjet dhe rekomandimet që i bën IKD. Brengat e njëjta i kemi edhe ne, në kuptimin e funksionimit më të mirë të sistemit të drejtësisë. Shtyrja e seancave është një brengë e përgjithshme. Mirëpo, është brengosëse shtyrja e gjykimeve për shkak të mungesës së gjykatësit e prokurorit, pasi të dy me të vërtetë duhet me planifiku mirë shqyrtimin, që mos të ndodhë që për fajin e tyre me u shty gjykimi”, shtoi Peci.

Ndryshe, në gjetjet e raportit të IKD-së, gjatë procesit të monitorimit sistematik të sistemit të drejtësisë, prej 1 janarit e deri më 31 dhjetor 2020, ka bërë gjithsej 583 kërkesa për qasje në dokumente publike, në gjykata, prokurori KGJK, KPK dhe institucionet të tjera.

IKD ka gjetur raste kur PSh njofton vetëm përmes komunikatave për media dërguar në adresat elektronike të mediave, por jo edhe duke e publikuar njoftimin ne faqen zyrtare. Mirëpo, ka edhe raste kur nuk njofton fare për ngritjen e një aktakuzë për korrupsion, për të cilat monitoruesit e IKD-së raportojnë përmes faqes “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në drejtim të matjes së transparencës, IKD ka analizuar edhe publikimin e aktgjykimeve në rastet e korrupsionit, obligim ky ligjor për të gjitha gjykatat. Bazuar në monitorimin e IKD-së, nga 114 aktgjykimet e shpallura ndaj 165 personave, IKD ka gjetur se gjykatat në nivel vendi nuk kanë publikuar aktgjykimet ndaj 118 personave apo 71.52%, ndërsa i kanë publikuar vendimet e tyre vetëm ndaj 47 personave apo 28.48%. Një nivel i tillë i (mos) publikimit të aktgjykimeve nga ana e gjykatave, përkatësisht (mos) përmbushjes së obligimit ligjor, nuk shënon fare progres në ngritjen e transparencës në publikimin e aktgjykimeve ndaj të akuzuarve për korrupsion në raport me vitin paraprak. Përkundrazi, paraqet regres.

Gjatë vitit 2020, IKD ka monitoruar gjithsej 240 raste të korrupsionit, me 643 të akuzuar gjithsej. Për këto raste të korrupsionit, gjatë vitit 2020, IKD ka monitoruar 744 seanca gjyqësore të cilat ishin caktuar. Nga këto 744 seanca të monitoruara në rastet e korrupsionit, 513 prej tyre janë mbajtur, ndërkaq si pasojë e mosplotësimit të kushteve ligjore për mbajtjen e seancave, 231 prej tyre janë shtyrë. Shprehur në përqindje, i bie se në rastet e korrupsionit, 31.04% e seancave janë shtyrë. Pra në këtë mënyrë, IKD gjen se pothuajse çdo e treta (3) seancë në rastet e korrupsionit është shtyrë gjatë vitit 2020. Arsyet e shtyrjes së 231 seancave të korrupsionit janë të ndryshme: Mirëpo pjesa më shqetësuese është se nga këto shtyrje të seancave, 47 nga to kanë dështuar për shkak të mungesës së vet gjykatësve dhe prokurorëve.

Të akuzuarit në rastet e korrupsionit të monitoruara gjatë vitit 2020 i takojnë të gjitha profileve. Por, të akuzuarit e profilit të lartë janë në disproporcion të theksuar negativ në raport me të akuzuarit që i përkasin profilit të mesëm dhe atij të ulët. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi