Akademiku serb kërcënon me vdekje cilindo që nënshkruan njohjen e Kosovës
Dusan Kovacevic, akademik dhe skenarist serb, thotë se askush nuk do të lejohet të nënshkruajë njohjen e Kosovës, pasi “do të vdesë para se të thahet ngjyra`.
Akademikët serbë përveç propagandës kundër shtetit të Kosovës, tash kanë filluar të kërcënojnë edhe me jetë nëse një politikan serb nënshkruan njohjen e Kosovës.
E një kërcënim i tillë së fundmi ka ardhur nga akademiku dhe skenaristi serb, Dusan Kovacevic.
Siç shkruan ‘Sputnik‘ Kovacevic ka deklaruar se askush nuk do të lejohet të nënshkruajë njohjen e Kosovës, pasi “do të vdesë para se të thahet ngjyra”.
Kovacevic beson se një çështje kaq e madhe si çështja e Kosovës duhet të shkojë në referendum dhe ka thënë se Kushtetuta e Serbisë duhet të ndryshohet para se të ndodh kjo.
“Çdo gjë është e organizuar mirë dhe nuk ka asnjë kuptim në këtë. Shumica dërmuese e serbëve dhe shqiptarëve nuk do të pajtohen për ndonjë marrëveshje. Nëse kushti për rrugën e mëtejshme të Serbisë drejt BE-së është njohja e Kosovës, atëherë ajo rrugë nuk duhet të jetë”, tha Kovacevic.
Akademia serbe ka motivuar gjithashtu edhe masakrat e kryera nga Serbia në Bosnje e Hercegovinë e Kosovë mbi mitet e krijuara.























