Hysaj-Rrahmani fitojnë derbin ndaj Ismajlit, Napoli në vend të dytë

Hysaj-Rrahmani fitojnë derbin ndaj Ismajlit, Napoli në vend të dytë

Triumf me “poker” në transfertë për Napolin, që ngjitet përkohësisht në vend të dytë në Serie A.

Ekipi i Gennaro Gattusos fitoi 1-4 në fushën e Spezias, duke siguruar tre pikë shumë të rëndësishme për objektivin Champions League.

Ardian Ismajli titullar për vendasit, teksa në krahun tjetër e nisin nga fillimi Elseid Hysaj dhe Amir Rrahmani. 15 minuta rezistuan vendasit, të cilët u dorëzuan pas golit të Piotr Zielinskit.

Minuta të mira për skuadrën udhëtuese, që shënon edhe dy gola të tjerë me Victor Osimhen dhe e mbyll pjesën e parë në avantazh të trefishtë. Roberto Piccoli shkurton rezultatin në mesin e fraksionit të dytë të ndeshjes, por Napoli godet sërish.

Hirving Lozano realizoi golin e katërt për ekipin e tij dhjetë minuta përpara fundit të ndeshjes. Përfundimisht 1-4 për Napolin, që mban vendin e dytë me 70 pikë, një më shumë se Atalanta, Milani dhe Juventusi. Pa fitues përfundoi ndeshja tjetër.

Udinese dhe Bologna ndanë nga një pikë pas barazimit 1-1 në Friuli. Rodrigo De Paul kaloi vendasit në avantazh në pjesën e parë. Gol shumë i bukur i kapitenit argjentinas, teksa Bologna evitoi humbjen falë një penalltie të kthyer në gol nga Riccardo Orsolini në minutën e 82-të.