​Ulqini gati për sezonin e verës, premton zbritje për kosovarët

​Ulqini gati për sezonin e verës, premton zbritje për kosovarët

Qiell e det janë bërë pasqyrë për njëra-tjetrën. Shkëmbinjtë, pisha e detaje tjera, në dekore për natyrën. Gjithçka është kthyer në të kristaltë, qartë duket gjithçka e bukur e këtij vendi. Mbi plazhin e vogël, po shtrihen pisha të mëdha qindvjeçare. Aroma e ujit të kristaltë të Adriatikut dhe Pyllit të Pishave, bashkë po kryejnë funksion të jashtëzakonshëm për organizmin. Me agimin e diellit, ky vend po kthehet në shëtitore për turistët.

Në kodrinën mbi plazh, temperaturat gjatë sezonit të verës janë gjithmonë 10 më pak. Ndërsa, shumë janë të mirat për shëndetin.

“Pylli i pishave dihet se është një shëtitore, apo një pikë ku të gjithë turistët dhe njerëzit kanë interesim, sepse është shumë e shëndetshme. Duke marrë parasysh se edhe tradicionalisht edhe librat që shkruajnë për Pyllin e Pishave thonë që sidomos gjatë verës në kohën e mëngjesit apo në kohën e mbrëmjes, është e shëndetshme për fëmijët dhe të rriturit që kanë bronhit apo edhe sëmundje të tjera që kanë të bëjnë me mushkëritë”, tregon ai.

Për të investuar u lejuan, por secila nga pishat është ruajtur mirë.

Pak kilometra nga qyteti i Ulqinit, gjendet edhe gjiri i mbyllur i mbuluar me mbi 90 mijë ullinj pranë rrethinës së Valdanosit. Ullishta e vjetër përbëhet nga ullinj të vajit. Qetësia absolute mbulon vendin, e peisazhi në muzg, krijon kurorë për çdo pemë. Të rrallë, por të vjetër. Mirë ruhet edhe shtati i pemës i cili ka më shumë se dhjetë shekuj jetë.

Fatmir Sadiku, prodhues i vajit të ullirit

“Ne kemi ullinj prej 1000 deri në 2000 vjet të moçëm. Në botën moderne kur i thua se është ullinj prej trungut 2000 vjeçare, kushton shishja prej 100 deri në 1000 euro. Kurse ata kanë vendos me na i mat cilësinë, na kanë dal prej 1000 deri në 2000 vjet të moçëm ullinjtë”, thekson Sadiku.

Nga lart pemët e pishave e rrethojnë plazhin, ndërsa poshtë është shpella gjysmë e zbuluar. E rrethuar kështu, po ruan edhe intimitetin e grave në këtë plazh. Që me arsyeje quhet edhe plazhi nudist. E bukur për t’u parë, por e ndaluar për kujtim nga shkrepja e ndonjë fotografie.

Përmbajtja e lartë e sulfurit, besohet se është shërues për gratë që kanë probleme për të ngel shtatzënë. Madje, kjo bazohet në rezultatet e shumta që ka pasur ndër vite.

Zana Sarvan, menaxhere për brendim në Organizatën Turistike në Ulqin

“Plazh karakteristik për burimin e ujit të sulfurit. Uji i cili ka veti shëruese dhe pse është plazhi i grave? Sepse është treguar edhe fakte që të gjitha zonjat të cilat kanë probleme të ndryshme në aspektin e lindjes, vijnë rreziten dhe lahen në ujin sulfurik dhe kemi rezultate pozitive. Dhe është ekskluzivitet i zonjave, është plazh nudistik i zonjave”, shprehet ajo.

Kamerat lejohen vetëm atëherë kur plazhi të jetë i mbyllur.

Përveç për gratë, besohet se është shërues edhe për të tjerë me sëmundje të lëkurës. Në orët e hershme të mëngjesit apo të vona të mbrëmjes, këtu mund të vijnë edhe burrat.

Ajo çfarë shihet, nuk lë vend për imagjinatë. Bukuritë e të gjithave në detaje, më shumë shijohen në lundrimin me anije.

Të mahnitur nga bukuritë e këtij qyteti, shumë artistë kanë gjetur edhe inspirimin për vepra artistike, shumë herë edhe i është kënduar këtij vendi. Derisa dallgët përqafojnë kalanë, ajo me besnikëri po ruan edhe sekretet e këtij vendi.

Bukurinë që natyra ia ka dhënë Ulqinit, përpos detit, ia shton edhe kalaja e vjetër mbi dy mijë e 500 vjeçare. Është kalitur mbi shkëmb, e vendi magjepsës po mbahet pothuajse në pëllëmbë të dorës.

Bukuritë malore dhe detare të Shqipërisë e Malit të Zi do të marketohen në gjithë vijën shqip-folëse në një platformë të vetme online të quajtur-Trip to Albania.

Jerola Ziaj, Trip to Albania

“Do të jetë i fokusuar në këtë start të tij në vijën bregdetare, duke qenë se jemi në sezonin turistik në atë të bregdetit, sigurisht që vjen kjo si ofertë e parë. Dhe pastaj do të fokusohemi për njerëzit që do të vijnë në bregdet, ne do të shkojmë në Kosovë dhe në pjesë të tjera të Shqipërisë, ku do të bëhemi gati për të hyrë dhe promovuar turizmin malor dhe segmentet të tjera të cilat mund të jenë interesante për t’u parë dhe vizituar”, tregon ai.

Përkundër asaj se çfarë u tha, me qindra kosovarë kaluan kufirin e Malit të Zi vikendin e kaluar, ani pse paguan 15 euro taksë.

Gëzim Hajdinaga, Drejtor i Turizmit në Mal të Zi

“Atë që ka shënuar pika kufitare Muriqanit del që numër shumë i madh i turizmit kanë kaluar për tri ditë. Mbi 8 mijë turistë nga Kosova kanë hyrë në Malin e Zi, kryesisht në Ulqin”, deklaron ai.

Nga kufijtë pritet të largohen edhe kolonat e gjata.

Aleksandër Daboviq, kryetar i Ulqinit

“Ne si Komunë jemi në komunikim permanent me autoritet qeveritare, me ministritë përkatëse dhe ata të pikës kufitare në Muriqan të krijimit të lehtësirave që hyrje-daljet të jenë sa më të shpejta e të shmangen radhët e gjata të panevojshme të automjeteve”, njofton ai.

Për të gjashtin vit radhazi përgatitja e kësaj ane të plazhit po bëhen vetëm për kosovarë. Vjet nuk patën mundësi të vijnë si shkak i pandemisë, por “Cabo Beach” këtë vit, po premton zbritje për ta.

Arti Rexha, pronar i “Cabo Beach”

“Shpresojmë që do të mbërrijmë 70 për qind të vitit 2019. Kemi rreth 500 çadra, 100 VIP-a. Cabo është unikat dhe do të jetë unikat, sivjet shpresojmë se do të punojmë si 2019.... Rënia ishte drastike shkaku i Kosovës, sepse Cabo punon vetëm me Kosovën. Shkaku i Kosovës ne kemi pasur rënie 75 për qind”, shprehet ai.

Taksa nuk është hequr, por kosovarët hoqën maskat për të kaluar vikendin në Ulqin. Me perëndimin e diellit, “Vikendi i kënaqësisë”, mori kuptim me muzikë shqipe.

Arian Henci, organizator

“Është hera e 13-të që Bamboo e organizon në Ulqin, Maj Festin edhe pse nuk është ky Maj Fest, pritet të organizohet me datën 14 dhe 16, por ende nuk është e sigurt. Por, ky organizim është po i 13-ti. Interesimi i njerëzve është shumë i madh edhe besoj që Ulqini si një ndër vendet më të bukura shqiptare, bregdetare meriton me pas këtë vizitë edhe këtë vëmendje”, shprehet Henci.

Vera që shkoi la zbrazëti të madhe në hapësirat e lashta e magjepsëse të Ulqinit. Kosovarëve këtë vit po u urohet mirëseardhje që përveç për të parë me sy, për të përjetuar e shijuar bukuritë e këtij vendi.