Paqe në Gjilan, s’gabon Prishtina, fitojnë edhe Trepça ’89 dhe Llapi
Kanë përfunduar pesë ndeshjet e xhiros së 34-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Kryendeshja e javës ndërmjet Dritës dhe Ballkani nuk ka sjellë fitues pasi dy skuadrat kanë luajtur baras 1-1.
Xhevdet Shabani zhbllokoi rezultatin në minutën e 17-të me një super gol të shënuar në stilin “gërshërë”. Ndërsa për “portokallezinjtë” realizoi Mirlind Daku në fund të pjesës së parë.
Prishtina e ka shfrytëzuar në maksimum barazimin e dy rivalëve për titull të kampionit duke arkëtuar pikët maksimale kundër Feronikelit.
Kryeqytetasit regjistruan fitore 2-1 ndaj “Industrialistëve” në stadiumin “Fadil Vokrri”. Për Prishtinën realizuan Abazi e Krasniqi, teksa për Feronikelin shënoi Mici i Prishtinës në portën e tij.
Në tri takimet tjera për mbijetesë, Trepça ’89 ka fituar me përmbysje 2-1 ndaj Gjilanit në Mitrovicë.
Arbëria dhe Drenica janë ndarë në “paqe” 1-1, ndërkohë që Llapi fitoi minimalisht ndaj Besës në Podujevë, raporton demokracia.
Kujtojmë se deri në fund të edicionit kanë mbetur edhe dy xhiro.























