Rasti “Çekiçi”, anulohet seanca

Rasti “Çekiçi”, anulohet seanca

Është anuluar seanca gjyqësore e paraparë të mbahej të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Çekiçi”.

Në këtë rast, Gëzim Retkoceri po akuzohet se më 29 prill 2009, së bashku me një person të panjohur, e kishin rrëmbyer të ndjerin Naim Hajrizin, e kishin privuar nga jeta, e kishin goditur me mjete të fortë në kokë, ia kishin lidhur këmbët dhe duar, e pastaj ia kishin djegur trupin me qëllim të fshehjes së gjurmëve, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Veseli Ismajli për “Betimi për Drejtësi”, ka thënë se për shkak të mos përbërjes së plotë të trupit gjykues, paraprakisht e kishin anuluar seancën e paraparë të mbahej të premten.

Seanca e radhës për këtë rast pritet të mbahet me 21 maj 2021, në ora 9:30 në të cilën pritet të dëshmojë ish-shefi i Krimeve Ekonomike të Policisë, Emin Beqiri.

Në këtë rast, i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje kishte qenë edhe Osman Spahiu, por pas ricilësimit të veprës penale, që ishte bërë në fjalën përfundimtare të shqyrtimit të kaluar gjyqësor nga ana e prokurores Fikrije Fejzullahu, Spahiu ishte akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale, për çka edhe e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim.

Kurse, i akuzuari Retkoceri ishte shpallur fajtor për vrasje të rëndë dhe ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje pre 30 vitesh.

Aktgjykimi në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020.

Kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga Gjykatën e Apelit nga mbrojtja e të akuzuarit dhe prokuroria.

Lidhur me këto ankesa, kolegji i Apeli kishte mbajtur seancë më 15 korrik 2020. Pas shqyrtimit të ankesave, kolegji i përbërë nga gjyqtarët, Tonka Berishaj, Driton Muharremi dhe Vaton Durguti, kishte vendosur që të aprovojë si të bazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit Retkoceri, avokates Kosovare Kelmendi kurse ankesat e prokurorisë dhe palës së dëmtuar i ka vlerësuar si jo lëndore tani për tani.

“Gjykata e Apelit më vëmendje ka shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtëses të të akuzuarit si dhe shkresat e lëndës dhe vlerëson se përsëri aktgjykimi i shkallës së parë në këtë rast penal është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike” – thuhej në aktgjykimin e Apelit.

Sipas aktgjykimit të Apelit, duke qenë se kjo lëndë edhe njëherë tjetër ishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë, kjo e fundit, sipas Apelit, në masë të madhe nuk i kishte përfillur udhëzimet e dhëna nga gjykata e shkallës së dytë.

Sipas vlerësimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare duke pas kundërthënie në mes dispozitivit dhe aktgjykimit si pasojë e mos arsyetimit të secilës provë veç e veç dhe duke mos i ndërlidhur me njëra tjetrën për të ardhur deri te një gjendje faktike e drejtë dhe e plotë.

Sipas Apelit, shkalla e parë nuk analizuar dhe vlerësuar provat si të vetme se çka vërtetojnë dhe të gjitha provat e ndërlidhura me njëra tjetrën çfarë gjendje faktike vërtetojnë. Po ashtu, sipas aktgjykimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar veprimet inkriminuese të secilit të akuzuar në raport me kryerjen e eventuale të vrasjes.

Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, nuk janë dhënë arsye në aktgjykimin e shkallës së parë se ku janë marrë njollat e gjakut të cilave iu është bërë profili i ADN-së dhe të cilat rezultuan se i takojnë tani të ndjerit Naim Hajrizi. Pastaj, nuk është sqaruar çështja e gjetje së bykut të drurit dhe nuk është sqaruar çështja e çekiçit gjegjësisht si ka arritur i njëjti në gjykatë dhe cila është rëndësia e të njëjtit në këtë çështje penale.

“Këto udhëzime të Gjykatës së Apelit edhe pse të detyrueshme për gjykatën e shkallës së parë nuk janë përfillur dhe të njëjtat kanë pasur edhe në aktgjykimin tjetër i cili është objekti i vlerësimit tani nga kolegji i kësaj gjykate”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në fund, Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë ka lirinë e veprimit rreth vlerësimit të provave ndërsa Gjykata e Apelit vetëm bën rivlerësimin e provave dhe nëse gjen gabime, vetëm në raste të jashtëzakonshme bën administrimin e provave me hapjen e shqyrtimit në shkallë të dytë. Në rastin konkret, Apeli thekson se ka gjetur se përshkrimi faktik nuk është bërë si duhet në aktgjykim dhe se arsyetimi është i pamjaftueshëm.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer edhe më herët në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 4 maj 2016. Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 7 korrik 2015, dy të akuzuarit për vrasjen e Naim Hajrizit, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu i kishte dënuar me nga 30 vjet burgim.

Me rastin e kthimit në rigjykim, Gjykata e Apelit, kishte konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shkelur dispozitat e procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Retkocerin po e akuzon se më 29 prill të vitit 2009, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizin, me qëllim që ta privojnë nga jeta.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerin Hajrizi e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e kishin vrarë tani të ndjerin, pastaj e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi