Hapet Muzeu Etnologjik në Gjilan
Misioni i Muzeut Etnologjik të Gjilanit është që të ruajë dhe promovojë objektet etnologjike, rrëfimet, ngjarjet dhe mënyrën e jetesës së qytetarëve të Gjilanit me rrethinë.
Inaugurohet Muzeu Etnologjik në Gjilan. Me financim nga Bashkimi Europian në kuadër të programit të IPA II të bashkëpunimit ndërkufitar mes Gjilanit dhe Kumanovës, ngjarje kjo ku pos kryetarit Lutfi Haziri, të pranishëm ishin edhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog e kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Kryetari Haziri tha se Muzeu Etnologjik do të hapet për qytetarët dhe turistët, duke ofruar vlerat etnologjike.

“Jam shumë i lumtur që sot e inauguruam Muzeun Etnologjik në Gjilan, i cili është vendosur në njërin nga objektet më të mira, më të vjetra dhe më të konzervuara. Muzeu, i cili është projekt i bashkëpunimit ndërkufitar me Kumanovën, do të hapet për qytetarët dhe turistët, duke ofruar vlerat etnologjike, ndërkaq Muzeu i Qytetit do t’i ruaj vlerat arkeologjike deri në historinë më të re të Gjilanit. Falëmnderit të gjithë atyre që janë angazhuar, e në veçanti mbështetësin financiar që janë fondet e BE’së”, tha Haziri.
Ai ka falënderuar për mbështetjen dhe prezencën shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog dhe kryetarin e Kumanovës, Maksim Dimitrievski.
Dy të fundit theksuan se ndihen të lumtur që në Ditën ndërkombëtare të Muzeut po inaugurohet Muzeu Etnologjik në Gjilan.
Ndryshe, misioni i Muzeut Etnologjik të Gjilanit është që të ruaj dhe promovojë objektet etnologjike, rrëfimet, ngjarjet dhe mënyrën e jetesës së qytetarëve të Gjilanit me rrethinë.

Muzeu do të jetë hapësirë, e cila do ta inspirojë e edukojë publikun dhe gjeneratat e ardhshme për të kaluarën e Gjilanit, duke u ekspozuar objektet etnologjike të cilat tregojnë për praktikën, aftësitë dhe vlerat shoqërore të Gjilanit.























