Supremja: I ligjshëm dënimi me 25 vite burg ndaj Suzana Zogiani-Sekiraqës
BKT
   Betimi për Drejtësi

Supremja: I ligjshëm dënimi me 25 vite burg ndaj Suzana Zogiani-Sekiraqës

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të paraqitur nga mbrojtja e Suzana Zogiani-Sekiraqës, e dënuar me 25 vite burgim për vrasjen e bashkëshortit të saj në Francë.

Në gjë e tillë u bë e ditur përmes një komunikate për media të Gjykatës Supreme.

“Kolegji i Gjykatës Supreme ka refuzuar si të pabazuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, të mbrojtëses së të dënuarës S.Z. – S., e paraqitur kundër aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti i Krimeve të Rënda PKR.nr.37/2019 datë 17 dhjetor 2019 dhe aktgjykimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës PAKR.nr.133/2020 datë 3.07.2020, për veprën penale të vrasjes së rëndë.” – thuhet në komunikatën e Supremes.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 17 dhjetor 2019, Suzana Zogiani-Sekiraqën e kishte shpallur fajtore për vrasje të rëndë dhe të njëjtën e kishte dënuar me 25 vjet burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ajo akuzohej se më 21 nëntor 2018, në banesën e saj në Dole të Francës, kishte vrarë në mënyrë mizore bashkëshortin e saj.

E pakënaqur me aktgjykimin e Themelores, mbrojtësi i të akuzuarës, avokati Sevdali Zejnullahu kishte ushtuar ankesë në Apel, me të cilën kishte kërkuar që rasti të kthehet në rigjykim.

Mirëpo, ankesën e mbrojtjes e kishte refuzuar Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2020, e cila gjykatë e kishte lënë në fuqi dënimin e shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë.

Kundër aktgjykimeve të lartcekura, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë ka ushtruar mbrojtësja e të dënuarës, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale dhe shkeljes së ligjit penal.

Mbrojtja kishte propozuar që kërkesa të aprovohet dhe aktgjykimet e kundërshtuara të ndryshohen ashtu që e dënuara të lirohet nga përgjegjësia penale apo vepra penale të ricilësohet si vepër penale e kryer në gjendje të afektit mendor, apo të anulohet dhe çështja ti kthehet gjykatës së parë në rigjykim.

Ndaj kërkesës për mbrojte të ligjshmërisë është përgjigjur Prokurori i Shtetit, ku është kërkuar që të refuzohet kërkesa e mbrojtjes.

Duke i vlerësuar pretendimet e mbrojtjes, Supremja ka ardhur në përfundim se ato janë ta pabazuara.

Në arsyetimin e aktgjykimit të nxjerrë nga kolegji në përbërje nga gjyqtarët, Nesrin Lushta, Mejreme Memaj dhe Rasim Rasimi thuhet se pretendimet në kërkesë përkitazi me shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale janë të ndërlidhura edhe me gjendjen faktike për të cilën bazë kërkesa nuk lejohet të ushtrohet, megjithatë meqë kanë të bëjnë edhe me shkelje të ligjit penal Supremja thotë se i ka vlerësuar edhe ato pretendime.

Sipas aktgjykimit të Supremes, nga shkresat e lëndës shihet se provat e administruara në shqyrtimin gjyqësor në ketë çështje janë marrë konform dispozitave ligjore, ndërsa sa këto prova janë thelbësisht të mbështetshme dhe provojnë elementet e veprës penale. shkaktimin e dëmit apo ndonjë çështje me rëndësi, është çështje që vlerësohet nga gjykata.

“Në ketë çështje juridiko penale, duke pasur parasysh faktin se vrasja është kryer në Francë, dhe pas kryerjes së vrasjes e dënuara ka ardhur në Kosovë ku edhe është arrestuar është evidente se një mori provash janë siguruar nga autoritetet e organeve kompetente të Francës, në mesin e tyre edhe dëshmitë e të dëshmitarëve J.C., A.D. dhe H.S., të cekura në kërkesa dhe këto dëshmi e dënuara nuk ka mundur që në shqyrtimin gjyqësor t’i kundërshtojë përmes marrjes në pyetje, por nga ky fakt nuk mund të pretendohet se ato janë të papranueshme”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Gjithashtu, në aktgjykim thuhet se janë të pabazuara pretendimet se këto prova nuk janë siguruara në mënyrë të ligjshme, ngase sipas Supremes, nga shkresat e lëndës rezulton se provat e siguruara nga autoritetet Franceze janë marrë konform dispozitave të kodit të proceduarës penale të Francës dhe si të tilla edhe i janë dorëzuar autoriteteve vendore.

Aktgjykimi vazhdon duke theksuar se, fakti se i ndjeri ishte i raportuar në polici për dhunë ndaj të dënuarës tregon për raportet bashkëshortore të tyre, e që në rastin konkret këto raporte sipas Supremes nuk janë kontestuese.

“Por, përveç mbrojtjes së të dënuarës nuk ka prova se natën e ngjarjes i ndjeri e kishte sulmuar apo rrah të dënuarën, dhe në mungesë të provave gjykatat kanë konkluduar se natën e ngjarjes nuk ka pas sulm apo dhunë të të ndjerit ndaj të dënuarës dhe në ketë drejtim kanë dhënë arsye të qarta se pse nuk ia kanë falë besimin mbrojtjes se të dënuarës të cilat si të drejta i aprovon edhe kjo gjykatë”, thuhet në aktgjykim.

Sa i përket dëshmisë së fëmijës së të akuzuarës, Supremja thekson se marrja në pyetje nëpërmjet psikologut nuk është detyrim i gjykatës por në rast se gjykata e sheh të nevojshëm, pra është në diskrecion të gjykatës të vlerësojë se duhet të dëgjohet personi që nuk ka mbush 18 vjet nëpërmjet psikologut apo personave tjerë profesional.

“Në rastin konkret gjykata ka vlerësuar se nuk është e nevojshme, por E. është marrë në pyetje në prezencë të përfaqësuesit të punëtorit social dhe ka vepruar me kujdes të posaçëm sepse siç del nga shkresat e lëndës mbrojtësi të gjitha pyetjet ia ka parashtruar nëpërmjet të dënuarës.”, thuhet në aktgjykimin e Supremes.

Sa i përket propozimit të mbrojtëses për ekspertizë psikiatrike për të vërtetuar gjendjen psikike të të dënuarës në momentin e kryerjes së veprës penale, Supremja ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë me të drejtë e ka refuzuar një propozim të tillë dhe në ketë drejtim ka dhënë arsye të qarta të cilat si të drejta i aprovon edhe Gjykata Supreme.

Supremja e pranon se në faqen e tretë të arsyetimit të aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë është referuar tek një rasti tjetër që ka të bëjë me vepra penale të narkotikëve, mirëpo sipas Supremes, në rastin konkret kemi të bëjmë me një lëshim teknik i cili është bërë gjatë ekspedimit të aktgjykimit me saktësisht fotokopjimit, i cili aktgjykimin nuk e bën të pakuptueshëm, ngase një lëshim i tillë nuk qëndron në aktgjykimin burimor.

Gjykata Supreme i ka vlerësuar si të pabazuara pretendimet e mbrojtëses se e dënuara ka vepruar në mbrojtje të nevojshme, pra, kjo gjykatë e ka mbështetur konkludimin e gjykatës së shkallës së dytë, se në veprimet e të dënuarës qëndrojnë elementet e veprës penale të vrasjes së rëndë.

“Edhe pretendimet se me rastin e heqjes së elementit kualifikues (pika 1.4) të veprës penale nga gjykata e shkallës dytë nuk është ndryshuar vendimi mbi dënimin janë të pabazuara, sepse, e dënuara është akuzuar dhe shpallur fajtore për veprën penale të vrasjes së rëndë me dy elemente kualifikuese, mirëpo gjykata e shkallës së dytë e ka hequr njërin nga këto elemente kualifikuese dhe kjo nuk nënkupton se është dashur të ndryshojë edhe dënimin, sepse prapëseprapë bëhet fjalë për vrasje të rëndë”, përfundon aktgjykimi i Supremes.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 8 shkurt 2019, Zogiani-Sekiraqa, akuzohej se më 21 nëntor 2018, rreth orës 08:30, në banesën e saj në Dole të Francës ku ishin duke jetuar se bashku me bashkëshortin e saj A.S, tani të ndjerin, ajo me dashje e ka privuar atë nga jeta në mënyrë mizore.

Prokuroria pretendonte se Zogiani këtë veprim e kishte kryer duke e goditur me mjet të mprehtë – sëpatë të paktën 11 herë në pjesë të ndryshe të qafës.


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi