Dështon të vazhdojë rigjykimi për vrasjen e vitit 2017 në Prishtinë
BKT
   Betimi për Drejtësi

Dështon të vazhdojë rigjykimi për vrasjen e vitit 2017 në Prishtinë

Seanca e paraparë të mbahej të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka dështuar të mbahet si pasojë e mos sjelljes së të akuzuarit për vrasje të rëndë në bashkëkryerje dhe armëmbajtje pa leje, Arlind Ahmeti, nga Njësia e Transportimit të të paraburgosurve.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Agron Vllasaliu, por i njëjti gjendet në arrati, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Alban Ajvazi, tha se më 23 prill 2021, gjykata ka lëshuar urdhëresë ndaj Drejtorisë së Burgut në Prishtinë dhe Njësisë për Transportimin e të Paraburgosurve për sjelljen e të akuzuarit Arlind Ahmeti për seancën e sotme, por që e njëjta urdhëresë nuk është realizuar.

Ndryshe, në këtë seancë nuk prezantoi i dëmtuari Gani Sahiti dhe as dëshmitari Behar Sahiti, për të cilët, mbrojtësit e tyre deklaruaruan se për shkak të gjendjes shëndetësore, të njëjtit nuk mund të jetë të pranishëm.

Ndërsa, prezent ishte prokurori i shtetit Ilaz Beqiri, dëshmitarja-e dëmtuara Riada Kika, dëshmitari Lumbardh Kukaj dhe dëshmitari Freskim Ferizi.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 15 qershor 2021, në ora 09:30.

Ndryshe, ky rast më parë është gjykuar nga gjykatësi Vesel Ismajli, i cili tanimë është avancuar në Departamentin Special.

Gjykata e Apelit, në nëntor të vitit 2019, përmes aktvendimit, kishte vendosur që ky rast të gjykohet sërish nga gjykata e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi i 16 prillit të vitit 2019, është në kundërshtim me dispozitat ligjore.

“Kjo për faktin se gjykata nuk ka dhënë arsyet për faktet vendimtare, dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me arsyetimin, nuk janë dhënë arsyet për çdo pikë të aktgjykimit dhe gjykata nuk ka paraqitur qartë dhe në mënyrë të plotë se cilat fakte dhe për çfarë arsyesh i ka konsideruar të vërtetuara apo të pa vërtetuara, nuk ka vlerësuar dhe arsyetuar saktësinë e provave kundërthënëse si dhe arsyet e mos miratimit të propozimeve konkrete të palëve, shkelje këto që kanë ndikuar edhe në vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, thuhet në vendimin e Apelit.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 16 prill 2019, pasi që kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, të akuzuarin Arlind Ahmeti e kishte shpallur fajtor për shtytje në vrasje të rëndë, duke shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim, në të cilin do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 25 nëntori 2017, e tutje.

Përkatësisht, për shtytje në vrasje të rëndë ai është dënuar me 16 vjet burgim, kurse me një vit e gjashtë muaj burgim është dënuar për armëmbajtje pa leje.

Por, të pakënaqur me rikualifikimin e veprës penale kishin qenë Prokuroria Themelore në Prishtinë dhe mbrojtësi i të akuzuarit Ahmeti, avokati Asdren Hoxha, të cilët përmes ankesave të ushtruara kundër aktgjykimit të shkallës së parë kishin kërkuar kthimin e çështjes në rigjykim.

Në seancën e mbajtur më 17 tetor 2019, kolegji i gjyqtarëve të Apelit ka shqyrtuar ankesat e prokurorisë dhe mbrojtësit të të akuzuarit.

Gjatë kësaj seance, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Hoxha kishte deklaruar se aktgjykimi është kundërthënës dhe i bazuar në mendime e supozime dhe jo në prova.

Sipas tij, aktgjykimi i shkallës së parë nuk është i arsyetuar sa duhet dhe se bazohet në prova të papranueshme, pasi që sipas tij, gjykata ka bazuar vendimin e saj, në prova të cilat fare nuk i kishte administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor.

Hoxha kishte shtuar se gjykata me rastin e ricilësimit të veprës penale, ka tejkaluar akuzën, duke shkelur kështu ligjin penal në dëm të të pandehurit, madje sipas tij, ricilësimi është i gabuar pasi që me asnjë provë nuk ka arritur të vërtetojë se i mbrojturi i tij e ka shtyrë, kryerësin në kryerjen e veprës penale.

Por, që lidhur me këtë Gjykata e Apelit ka konstatuar se nuk është tejkaluar akuza në dëm të të pandehurit.

“Kjo gjykatë nuk pajtohet me mbrojtjen se në rastin konkret kemi të bëjmë me tejkalim të akuzës, meqë siç dihet i akuzuari Arlind është akuzuar nga ana e prokurorisë për veprën penale Vrasje e rëndë në bashkëkryerje nga neni 179 par.1 pika 1.5 lidhur me nenin 31 të KPRK, ndërsa është rikualifikuar në veprën penale të Shtytjes në kryerjen e veprës penale nga neni 179 par.1 nën. Par 1.5 e lidhur me nenin 32 të KPRK, e që në këtë rast shtytja është formë e kryerjes së veprës penale bazë që në këtë rast është Vrasja e rëndë dhe në aspektin e sanksionit penal nuk shkon në dëm të akuzuarit”, thuhet në vendim.

Ndryshe, sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2017, para kafenesë “Francisko” që gjendet në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bazë të marrëveshjes paraprake me të akuzuarin tjetër, Agron Vllasaliu, i cili gjendet në arrati, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Nehar Sahiti dhe kanë rrezikuar jetën e tani të dëmtuarve, Behar Sahiti, Lumbardh Kukaj, Freskim Farizi, R. K. dhe Mërgim Kqiku.

Prokuroria pretendon se pas fjalosjes së të akuzuarit Arlind Ahmeti, me vëllezërit Nehar e Behar Sahiti, derisa Agron Vllasaliu ishte në veturë, e ka hapur dritaren e automjetit dhe ka shtënë dy herë me revole, duke e goditë tani të ndjerin Nehar Sahiti dhe të dëmtuarit e tjerë në aktakuzë, me ç‘rast nga plagët e marra, i ndjeri ka ndërruar jetë në QKUK.

Me këtë, para se të rikualifikohej vepra penale, i akuzuari Arlind Ahmeti, në bashkëkryerje me të akuzuarin Agron Vllasaliu, akuzohej se ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, i akuzuari Arlind Ahmeti, pa autorizim ka poseduar dy revole, që kanë qenë pronë e tij, të cilat janë gjetur dhe sekuestruar në motelin “Vila Kuinc”, ku siç thuhet në aktakuzë, të akuzuarit kishin kaluar natën pas kryerjes së veprës penale.

Me këtë, sipas aktakuzës, i akuzuari ka kryer veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA    Betimi për Drejtësi