Politika serbe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare
BKT
Rajoni dhe Bota

Politika serbe kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare

Mediat në Serbi kanë raportuar se Kosova ka filluar hapat e parë drejtë aplikimit për anëtarësim në Interpol dhe UNESCO.

Gjithashtu,  kryeministri Kurti nga Brukseli iu ka bërë thirrje pesë shteteve anëtare të Bashkimit Europian që ta njohin Kosovën.

Si rezultat i këtyre veprimeve të Kosovës, Serbia ka bërë të ditur se i ka ‘garantuar’ pesë çnjohje në rast se Kosova ndërmerr ndonjë veprim drejt aplikimit në ndonjërën nga organizatat ndërkombëtare. Ky është edhe kërcënimi direkt që i bëhet Kosovës nga ana e Serbisë në prag të dialogut mes këtyre dy shteteve, raporton Novosti.

Këto ‘ndërmarrje’ të Kosovës nga ana e Serbisë po shihen si veprime të anshme, duke mos respektuar as marrëveshjen e Washingtonit dhe duke e bërë të pakuptimtë. Këto veprime sipas shtetit serb po shihen të sinkronizuara mes presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Kryeparlamentari i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar se kinse Kosova ka mashtruar Serbinë dhe BE-në prej shumë vjetësh, dhe tash sipas tij ka filluar t’i mashtrojë edhe SHBA-të sa i përket ndalimit të fushatës për njohje të shtetit.

“Prishtina refuzon të zbatojë detyrimin për të formuar Asociacionin e Komunave Serbe në Kosovë dhe tani po shkel Marrëveshjen e Washingtonit, në pjesën që i referohet moratoriumit njëvjeçar mbi aktivitetet në lidhje me njohjen e të ashtuquajturës Kosova. Çfarë do të na detyronte tash që të mos vazhdojmë fushatën për tërheqjen e njohjes së Kosovës? – ka deklaruar Daçiq për Novosti. 

Daçiq çdo lëvizje të kryeministrit dhe presidentes së Kosovës po mundohet ta vë në shënjestër në mënyrë që të arsyetojë rinisjen e fushatës kundër çnjohjeve të Kosovës.

Nga ana tjetër edhe analistët politik në Serbi kanë vlerësuar se vendi i tyre është shtet ‘serioz që i respekton të gjitha marrëveshjet e nënshkruara’.

Analisti politik nga Qendra për Stabilitet Social, Predrag Rajiç, ka thënë se Kosova nuk i përmbahet marrëveshjeve të nënshkruara.

“Prishtina tani tradicionalisht nuk i përmbahet një letre të vetme të ndonjë marrëveshje apo kontrate të nënshkruar. Serbia gjithmonë do të përdorë të gjitha elementet e të gjitha marrëveshjeve ndërkombëtare që ka nënshkruar, përfshirë Marrëveshjen e Washingtonit, të cilat janë në favor të saj dhe janë në dispozicion”, ka deklaruar ai.

Analisti serb Rajiç, konsideron se nëse Kosova bënë përpjekje për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare do të bënte një gabim të parikuperueshëm.

“Unë mendoj se Prishtina do të bënte një gabim kardinal nëse do të paraqiste një kërkesë për anëtarësim në një nga organizatat ndërkombëtare, sepse falë ofensivës diplomatike të Serbisë, sigurisht që do të përjetonte një mbytje anijesh”.

Kurse, drejtori i të ashtuquajturës ‘Zyrës për Kosovë dhe Metohi’, Petar Petkoviç, ka deklaruar se lobimi i Kosovës për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare e minon marrëveshjen e Washingtonit.

Sipas mediave serbe, Kosova për herë të fundit u përpoq të hynte në Interpol në vitin 2019, por tërhoqi aplikimin e saj të anëtarësimit pak para fillimit të Asamblesë së Përgjithshme të kësaj organizate, sepse ata e kuptuan se do të përjetonin një debakël në votim.

Ata thonë se në më pak se katër vjet Kosovën e ka njohur vetëm shteti i Izraelit. Kurse si kundërpeshë e kësaj njohje janë 18 shtete që kanë tërhequr njohjen e Kosovës si rezultat i lobimit të Serbisë për këtë periudhë kohore.

Po ashtu, sipas mediave dhe politikës serbe thuhet se janë edhe pesë shtete që i kanë dhënë garanci Serbisë ta bëjnë çnjohjen e Kosovës nëse kjo e fundit shpreh gatishmëri të aplikojë në ndonjë organizatë ndërkombëtare.

Nga ana tjetër Kosova pas njohjes nga Izraeli nuk ka arritur të sigurojë ende ndonjë njohje tjetër dhe se pas ndërrimit të pushtetit të brendshëm po përballet me emërime dhe shkarkime të ambasadorëve të saj nëpër vendet e ndryshme të Europës dhe botës.


MË SHUME NGA Rajoni dhe Bota