Zyrtarët e KEDS-it lirohen nga akuza për marrje ryshfeti

Zyrtarët e KEDS-it lirohen nga akuza për marrje ryshfeti

Gjykata Themelore në Pejë ka shpallur aktgjykim lirues ndaj dy zyrtarëve të KEDS-it, Gëzim Gashi dhe Bekim Thaqi, të akuzuar nga Prokuroria e Pejës për marrje të ryshfetit.

Kurse, avokati i akuzuar për frikësim gjatë procedurës penale, Murat Krasniqi, u shpall fajtor dhe u dënua me 1 vit burgim efektiv e 200 euro gjobë. Ndaj tij u shqiptua edhe dënimi plotësues, ndalimi i ushtrimit të profesionit të avokatit në kohëzgjatje prej 1 viti.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Sami Sharraxhiu, nuk është provuar se të pandehurit Gashi e Thaqi janë fajtorë, pasi Prokuroria e Pejës në kundërshtim me ligjin kishte zbatuar masat e fshehta ndaj tyre.

“Prokuroria në rastin e zbatimit të masës së simulimit të veprave penale të korrupsionit nuk ka vepruar konform ligjit, gjegjësisht masën e simulimit të cilën e ka zbatuar në mënyrë verbale përmes policisë nuk e ka konfirmuar konform nenit 91, paragrafit 1 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës, që është obligative, që në afat prej 3 ditëve t’i drejtohet gjyqtarit të procedurës paraprake me kërkesë për konfirmimin e urdhrit gojor për zbatimin e kësaj mase”, tha gjykatësi Sharraxhiu.

Kurse, i dëmtuari Feim Uka për realizimin e kërkesës pasurore-juridike u udhëzua në kontest civil.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 21 shkurt 2020, nga Prokuroria Themelore në Pejë, zyrtarët e “KEDS”-it, Bekim Thaqi dhe Gëzim Gashi akuzohen se më 2 dhjetor 2019, me marrëveshje paraprake mes tyre, kanë kërkuar dhe pranuar për vete përfitim, në mënyrë që të mos veprojnë në pajtim me detyrat e tyre zyrtare.

Sipas aktakuzës, të pandehurit shkojnë në shtëpinë e të dëmtuarit Feim Uka, duke i bërë presion me pretekstin se është duke zhvilluar biznes të paligjshëm për shkak të shumës së lartë të energjisë elektrike dhe për të mos lajmëruar në KEDS, kërkojnë nga ai shumën prej 200 euro.

Bazuar në aktakuzë, i dëmtuari e lajmëron policinë dhe pas takimit me të pandehurit, secilit ia jep shumën prej 100 euro dhe pasi të pandehurit i fusin të hollat nën karrigen e shoferit, arrestohen nga policia.

Me çka, nga prokuroria po akuzohen se kanë kryer në bashkëkryerje veprën penale “marrje ryshfeti”, nga neni 421, paragrafi 1, lidhur me nenin 31.

Në aktakuzë përfshihet edhe mbrojtësi i të pandehurit Bekim Thaqi, avokati Murat Krasniqi, i cili e sipas aktakuzës, e kishte kanosur dhe i kishte ofruar shumën prej 1,000 euro të dëmtuarit Uka, me qëllim që ta ndryshonte deklaratën e tij të dhënë në polici.

Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale të frikësimit gjatë procedurës penale, nga neni 387 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi


MË SHUME NGA Betimi për Drejtësi